Melania Trump jo me kohë të plotë në Shtëpinë e Bardhë: Kësaj here është ndryshe
Melania Trump thotë se nuk ka shumë gjasa që të vendoset me kohë të plotë në Uashington në herën e saj të dytë si Zonja e Parë. Madje duket se thyerja e traditave nisi me mungesën në takimin simbolik me çiftin presidencial në ikje Jill Biden e Joe Biden sot në Uashington. Melania Trump ishte e zënë me promovimin e librit të saj dhe konfirmonin se ajo nuk do të jetë në takimin e sotëm në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo mund të sinjalizojë se Trump kësaj here do të ketë më shumë autonomi dhe autoritet në vendimet e tij. “Nuk jam në ankth sepse kësaj here është ndryshe, kam më shumë eksperiencë dhe njohuri. Tani nëse shkoj në Shtëpinë e Bardhë, e di se çfarë pres”, tha ajo me herët në një intervistë me rrjetin Fox News për promovimin e librit. Melania Trump pritet të kalojë shumicën e kohës mes New York City e Palm Beach në Florida, dhe më pak në Shtëpinë e Bardhë thonë burimet e rrjetit CNN, të cilat insistonin se gjithsesi do të jetë prezentë në eventet e rëndësishme dhe detyrimet e zakonshme te Zonjës së Parë.
Të dielën ajo ishte parë në kullën Trump Tower në New York me të birin Barron. Burimet shtojnë se ajo nuk preferon të përfshihet në eventet publike por nuk dëshiron të ketë as probleme me presidentin, teksa thuhet se ajo është shpesh “një zë i vazhdueshëm në veshin e të shoqit”.