Merkato me figurat e ekranit, Donaldi dhe Bora bashkë në “Dancing with the stars”
Kemi lënë pas një sezon të ngjeshur televiziv, që bëri për vete publikun. Tashmë personazhet janë duke pushuar, por duket se ethet e sezonit të ri, i kanë kapur tashmë. Nga ato që kemi mundur të mësojmë, televizionet e kanë bërë gati tashmë programacionin për shtatorin, ku një sërë formatesh të reja do të vijnë për publikun.
Me shumë interes do të përcillen edhe dy formatet e njëjta. “Dance with me” në Tv Klan dhe “Dancing with the Stars” në Top. Pjesëmarrja e Bora Zemanit si moderatore ka shtuar edhe më shumë interes, duke ditur se përballë do të jetë edhe Donald Veshaj. Çifti, që tashmë janë ribashkuar, pritet të dhurojnë një spektakël të mirëfilltë në mbrëmjet e spektaklit.
Nga ana tjetër, përballë tyre do të jetë Ilir Shaqiri. Kohët e fundit është përfolur se balerini i kishte thënë po ofertës për të shkuar në Tv Klan si kryetar jurie te “Dance with me”, por në fakt ky lajm është i pavërtetë. Fituesi i “Big Brother” do të jetë nën logon e Top, por jo vetëm kaq. Një tjetër emër i Klan i bashkohet “Dancing with the stars”. Kështu, pas disa vitesh si pjesë e jurisë së “Dance with me”, Valbona Selimllari do të jetë në juri së bashku me Ilirin.
Sezoni i ri televiziv duket se do të shënojë një rikthim për ish-missin shqiptar. Nga aq sa kemi mundur të mësojmë, ajo ka përgatitur edhe një projekt tjetër, një format me djem e vajza të rinj dhe me gjasa edhe ky emision do të transmetohet në Top Media. Duket se kjo është pika e nisjes së një marrëveshje të re mes Valbonës, që për shumë vite ka qenë pjesë e Klan. Duket se projekti i saj nuk u pranua nga ky televizion, duke e dërguar projektin në zyrat e Top-it ku dhe duket se gjithçka po merr rrugë.
Ndërkohë kanë nisur të zbulohen edhe emrat e parë të konkurrentëve të tjerë të “Dancing with the stars”, ku veç Donaldit, do të jetë edhe Ardit Çuni konkurrent, por emra të tjerë të përfolur janë edhe Vlashent Sata, Ronela Hajati, Dj Pm, Beniada Nishani. Ndërkohë është konfirmuar tashmë kalimi i Ori Nebiajt te “Përputhen”, që vitin e ardhshëm do të vijë tërësisht i ndryshuar si format.
Rrjedhimisht, ajo largohet nga emisioni i mëngjesit, së bashku me Islin. Pas kaq shumë kohësh, dyshja e njohur televizive thuhet se do të merren me projekte të tjera. Isli do të jetë pjesë e “Dancing with the stars”, por është e paqartë nëse do të jetë pjesëmarrës si konkurrent apo si prezantues në “Gold Room” (dhoma ku qëndrojnë konkurrentët). Nga ana tjetër, me shumë interes pritet edhe kasta e personazheve të “Dance with me”, që këtë vit do të ketë edhe njerëz nga fusha e biznesit.
Ndër të tjerë, Rudina Magjistari është ftuar të marrë pjesë në këtë format, por edhe Marina Vjollca e Anxhela Peristeri. Të dyja formatet do të jenë “kokë më kokë” për të mbajtur publikun mbërthyer. E pyetur nga gazetari në lidhje me ethet e konkurrencës, moderatorja dukej shumë e sigurt, teksa u shpreh se ato programe janë si dy bebe për të, pasi i ka prezantuar të dy.
“E di pse nuk e ndjej. Se i kam prezantuar të dyja si formate, kështu i quaj të dyja bebet e mia. Dhe i dua të dyja njësoj. Dhe më vjen mirë që për audiencën të ketë cilësi, argëtim cilësor. Kështu, ata janë kolegë që punojnë në të njëjtën industri. Të bëjnë një gjë të bukur. Publiku shqiptar të kënaqet dhe të argëtohet. S’ka xhelozi për mua, s’ka konkurrencë. Kush bën gjëra të mira, i jap dorën”, u shpreh Vejsiu.
Ndërkohë që Klan është në bisedime për të marrë Kledi Kadiun si kryetar jurie, por edhe Klaudia Pepën. Burime për “Panorama” bëjnë me dije se ndryshime do të ketë edhe në emisionet e tjera të këtij kanali, që do të përpiqen të sjellin një frymë të re, ndryshe nga emisionet tradicionale që kanë pasur prej vitesh.
Ndërkohë, nga ana tjetër, ende pa një datë për emisionin e saj, ka mbetur Einxhel Shkira. Moderatores iu premtua formati që do t’u vijë në ndihmë të femrave, megjithatë në axhendat e këtij televizioni ende nuk ka një plan për ta vënë në zbatim këtë emision. Me aq sa kemi mundur të mësojmë, vështirë se Einxhel do të jetë në ekran edhe në janar, kur fillon sezoni i dytë televiziv.
Ndërkohë që vëllezërit Veshaj do të vijnë së shpejti me sezonin e dytë televiziv, duke sjellë disa risi në formatin e tyre. Ndonëse duket si një sezon pushimesh, korridoret e televizioneve kanë nisur tashmë të “ziejnë”, ku dinamikat janë shumë të larmishme. Do të na duhet të presime edhe pak javë, për të zbuluar edhe lëvizjet e fundit, përpara startit në shtator./Panoramaplus