Moderatori shqiptar zbulon si doli nga periudha e depresionit: Qenin e parë e kam marrë për këtë arsye
I njohur për natyrën e qetë dhe të sinqertë nga ekrani dhe jashtë tij, Bledi Strakosha ka ditur gjithmonë t’i zbërthejë personazhet në studiot e programeve të tij. Madje, edhe ata që në pamje të parë mund të duken pak më të ashpër dhe pak më hermetikë. Prej 25-vjetësh në ekran, Bledi ka zbuluar shumë jo vetëm nga gazetaria televizive, por ka zbuluar më shumë edhe nga vetja. Me vitet dhe punën, edhe ai ka fituar një pjekuri artistike që shpeshherë është për t’u admiruar, sepse e ka lënë Bledin ai që është, me modestinë dhe origjinalitetin që e karakterizon gjithmonë.
Por puna në televizion nuk është e thjeshtë. Ata që janë përballur gjithmonë me sfida të mëdha apo të vogla qofshin, e dinë mjaft mirë këtë dhe e pohojnë me zë të lartë. Bledi është një prej tyre. Jo sepse ka provuar disa ekrane, ka drejtuar disa programe e shumë projekte sfiduese, por, më shumë sepse nuk ka refuzuar të jetë përballë sfidave, sado të vështira të duken së largu.
Megjithatë, diku, dikur mund të mbetesh. Të ndihesh i pamundur, i paplotë, i çekuilibruar e në udhëkryq. Mund të mbetesh në mes të rrugës dhe pa qenë i aftë për të marrë majtas apo djathtas. Ose, pa shumë filozofi, mund të biesh në një amulli, në një gjendje depresive që as vetë nuk arrin ta shpjegosh.
Si shumë personazhe të njohur në botë, ndoshta shumë mund të jetë edhe në Shqipëri ata që e kanë provuar, përjetuar një ndjesi të tillë në një periudhë të caktuar të jetës. Por janë paktë ata që e rrëfejnë pa më të voglin siklet. Bledi është një prej tyre.
I ftuar pasditen e sotme në “Pasdite në Top Channel”, Strakosha rrëfeu se ka pasur të paktën një periudhë në jetë që ai, me shaka (ose jo) e quan “shpirt artisti”, por në të vërtetë ishte një gjendje e pastabilizuar emocionale, pas së cilës, për fat të mirë, ai zbuloi dashurinë e madhe për kafshët: “Kam pasur një periudhë që mua më pëlqente ta quaja ‘shpirt artistik’, por në të vërtetë ishte një kohë kur kisha më pak stabilitet emocional. Qeni i parë që kam marrë u bë pjesë e jetës sime pikërisht për këtë shkak, për të më nxjerrë nga kjo gjendje”, – rrëfen Bledi për “Pasdite.”
Vendimi erdhi menjëherë pas një takimi me një psikolog në atë kohë, i cili, siç tregon Bledi, i pati këshilluar që për ta kaluar këtë gjendje dhe për të rifituar stabilitetin emocional, të merrte një kafshë në shtëpi.
Bledi nuk e zgjati, por veproi pikërisht kështu. Willy u bë pjesë e jetës së Bledit dhe ishte një kurë e jashtëzakonshme. Pas tij, Bledin e shoqëruan edhe miq të tjerë me katër putra, të cilët sot i njihni edhe nga profili i tij virtual. /Class