”Mos u kthe”/ 16 përgjigje për këngën e re të Semit, ku futet Bora dhe Donaldi (VIDEO)
1-Pikë së pari, pse mendon që kënga e Semit është një dedikim për Borën dhe Donaldin? Nuk e mendoj unë. Ky është perceptimi që të tjerët duan që unë të mendoj.
2-Që do të thotë? Që do të thotë se nuk mund të publikosh një këngë me tekst “para syve të botës rashë”, t’i këndosh një çifti të ndarë, në një dhomë që duket sikur imiton muret e “Big Brother VIP” dhe mbi të gjitha të vendosësh një foto të ngjashme me Puthjen e Gustav Klimt e të pretendosh që nuk ka lidhje me Borën dhe Donaldin.
3-Po askush nuk ka pretenduar që ka apo nuk ka lidhje. Semi jo të paktën. E qartë, por a është e nevojshme? Fundja detajet nuk janë vendosur rastësisht.
4-Pra, ta marrim të mirëqenë që nënkupton historinë e Donaldit dhe Borës? Besoj se mjaftojnë detajet e sipërpërmendura.
5-Dakord. Pse mendon që mund të bëjë këngë për ta. E thjeshtë. Çështje marketingu.
6-Më shumë informacion…? Bëhet fjalë për një parim të njohur: Çdo gjë që është trend, shet. Në këtë rast, Donaldi dhe Bora janë trend, janë lehtësisht të klikueshëm, ngjallin interes për njerëzit. Kjo përkthehet në klikime për këngën e Semit. E klikimet përkthehen në para, në koncerte, në intervista etj.
7-E kuptueshme. Mëse e kuptueshme. Prandaj them që Semi mund të bëjë këngë për Donaldin dhe Borën.
8-A nuk është shfrytëzim? Këtë nuk mund ta them. Kjo është çështje këndvështrimesh. Njerëzit mund ta mendojnë si të duan. Ndoshta është, ndoshta jo. Sidoqoftë, po e quaj truk marketingu.
9-Po ç’problem ka këtu. Jo çdo gjë që “shet”, vlen.
10-Po a the që përkthehet në klikime, intervista etj? Po, por mos po harrojmë planin afatgjatë?!
11-Cilin? Le të flasim më konkretisht: Përpara hyrjes në “Big Brother VIP”, Semi nuk ishte fort aktive në muzikë. Shtoj këtu edhe faktin që para këngës “Jetike” në “Këngën Magjike”, ajo i përkiste një zhanri muzike jo fort të përqafuar nga masa. Muzika rock është fantastike, por në Shqipëri nuk gëzon të njëjtin popullaritet me llojet e tjera. Kur flas për popullaritet, i referohem koncerteve, intervistave, klikimeve në Youtube etj. Muzikantët e rock-ut gjithmonë dallojnë për qasjen e veçantë që i shmanget të qenit komercial.
12-E kuptoj. Po thua që pjesëmarrja në BBV ishte një mënyrë që Semi të njihej më shumë? Po. Të prezantohej për njerëzit që nuk e njihnin. Të riprezantohej për ata që e njihnin si “Semi i Bojkenit” nga marrëdhënia me Bojken Lakon dhe të shfaqte një tjetër anë të sajën.
13-A ia arriti? Deri-diku po. Semi tregoi se kurrë nuk kishte patur lidhje të fortë me muzikën rock; gjithmonë i kish pëlqyer R&B e dëgjonte Beyonce-n. Publikimi i “Jetike” nën vulën e Threedots e paralajmëroi këtë kapitull të ri në jetën e saj. Pra, u duk sikur po hidhte hapat e parë drejt ndryshimit dhe publiku po e njihte ose shihte ndryshe.
14-Pse deri-diku? Sepse dashur ose padashur, Semi e gjeti veten ne mes të historisë së Donaldit dhe Borës. Fakti që ishte brenda me ish-të dashurin e shoqes së ngushtë, e përqendroi vëmendjen te ky raport – Semi, shoqja e Borës. Semi, shoqja e Donaldit. Ç’mendon Semi për Donaldin dhe Borën? E kështu me radhë.
15-Po a ishte e shmangshme? Mendoj që jo. Sidoqoftë, rrugëtimi në “Big Brother” patjetër që i ka shërbyer për mirë. Si këngëtare shumë e mirë, Semi ka goxha potencial.
16-Megjithatë, pse mendon që nuk duhet të publikojë këngë për Donaldin dhe Borën? Për aq kohë sa ka potencial të jetë Semi, pa përcaktor nga mbrapa, dedikimet Bora-Donald mund të mos jenë të vlefshëm në planin afatgjatë. Në të kundërt, rrezikon të jetë “Semi, shoqja e Borës”.
Marrë nga /Anabel.al/