Nis gjyqi/Meghan thotë se shtypi e manipuloi dhe e shfrytëzoi të atin
Padia e Meghan Markle kundër tabloidëve britanikë ka nisur zyrtarisht. Të premten në mëngjes u mbajt online dëgjesa e parë nga Gjykata e Lartë e Londrës. Sipas NBC News, Megan dhe Princ Harry u zgjuan në katër të mëngjesit për t’iu bashkuar seancës. Në emër të Meghan foli avokati i saj, i specializuar në çështjet e privatësisë, konfidencialitetit dhe shpifjes.
Avokati David Sherborne tha gjykata “duhet të vendosë nëse publiku u keqinformua me vullnet të plotë” nga Mail on Sunday që publikoi vetëm copëza të letrës, në vend që ta publikonte të plotë. Ai argumentoi se pjesët e letrës që u publikuan ishin të “pandershme,” pasi pjesët që s’u publikuan binin ndesh me synimet e gazetës.
Dukesha e Sussex po padit Associated Newspapers, botuesin e “Mail on Sunday”, për shkelje të privatësisë sepse publikuan një letër që ajo i shkroi të atit para se të martohej në vitin 2018. Avokatët e gazetës argumentuan se duke qenë se Meghan është anëtare e familjes mbretërore, lexuesit kanë interes për familjen e saj dhe se Thomas Markle ka të drejtë t’i tregojë publikut anën e tij të historisë.
“The Mail on Sunday do ta mbrojë artikullin e botuar deri në fund”,-tha një zëdhënës për E! News pak kohë më parë. “Për më tepër, mohojmë kategorikisht që letra e Dukeshës të jetë redaktuar në ndonjë mënyre që i ndryshon kuptimin”. Sipas NBC News, avokatët e Meghan besojnë se Thomas u “shfrytëzua” dhe u “manipulua” nga shtypi.