Ora e të vërtetës për Weinstein, nis gjykimi për “sulmet seksuale”
Producenti i filmave në Hollywood, Harvey Weinstein, u paraqit të hënën para gjykatës në Nju Jork, për t’u përballur me akuzat për përdhunim dhe sulme seksuale.
Ai është akuzuar nga më shumë se 80 gra, por përballet me akuza që lidhen vetëm me dy prej tyre.
Weinstein ka pranuar se ka shkaktuar “shumë dhimbje”, por ka thënë se të gjitha marrëdhëniet e tij kanë qenë konsensuale.
Jashtë gjykatës, disa nga akuzueset e tij, përfshirë aktoret Rosanna Arquette dhe Rose McGowan, kërkuan që ai të mbahet përgjegjës.
Weinstein, dikur njëri nga producentët më të fuqishëm të Hollywoodit, përballet me pesë akuza në total dhe mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor.
Akuzat kundër tij janë ngritur në maj të vitit 2018, pasi New York Times dhe Washington Post kanë publikuar njëkohësisht raporte në lidhje me dyshimet për sjelljen e tij të papërshtatshme seksuale.
Weinstein është liruar muajin pasues pasi ka paguar një kusht prej 1 milion dollarësh.
Përzgjedhja e jurisë që do ta gjykojë Weinsteinin nisi të hënën, ndërsa gjykimi i drejtpërdrejtë pritet të fillojë pas rreth dy javësh.
Pretendimet kundër Weinsteinit kanë ndihmuar në formimin e lëvizjeve #MeToo dhe Times Up kundër sjelljeve të papërshtatshme seksuale.