Orinda: “Unë dhe Turi, si burrë dhe grua”. Hap dyert e shtëpisë (FOTO)
Vera që shkoi ishte e tyrja, e Orindës dhe e Turit. Jo vetëm për atë dasmë përrallash, jo vetëm për atë vëmendje që paten, por edhe sepse pavarësisht bashkëjetsës së gjatë, pas betimeve e firmave në altar u quajtën prej ligjit e Zotit, të martuar zyrtarisht. Duket sikur pas dasmës, nuses, fustanit, luleve, të ftuarve, muajit të mjaltit, çdo gjë ra në qetësi dhe tani pyetja që u bëjnë të gjithë si njëri e tjetrit është ajo që bën çdo hallë, teze, komshije e krushkë: bebi, kur do vijë bebi? S’na u ndenj edhe ne pa u bërë pak si komshija, por më parë u bëmë kuriozë për të zgjatur pak kokën brenda në shtëpinë e tyre. Kur kthehen? Kush gatuan? Kush bën rrëmujë? Kush pjek tava e kush gështenja? Me pak fjalë, si janë Turjan Hysko e Orinda Huta si burrë e grua prej vërteti, përtej imazheve me kostum e fustan të bardhë, që na kanë mbetur në mendje nga dasma më e bukur e verës që shkoi.
Ne pamë dhe dëgjuam për ditë të tëra bujën, zhurmën e një dasme aspak të zakontë. Tani që ëndrra mbaroi a mund të na lejoni të përgjojmë vetëm pak fare në sallonin e shtëpisë?
Patjetër, me shumë kënaqësi… është i madh mjaftueshëm dhe ka vend për të gjithë në familjen Hysko.
Tani që ka më shumë natë se ditë e moti është freskuar, cila orë ju gjen të dyve bashkë?
Puna rifilloi në shtator dhe i bëra një premtim vetes, që nuk do qëndroja me orë të gjata në punë. Do kthehesha në kohë për të shijuar shtëpinë, për të bërë gati darkën, shijuar atë e më pas të relaksoheshim në divanin e madh, të porositur jashtë përmasave të zakonshme.
Po pse duhej aq i madh? Se ne e ku s’na shkon mendja…
Sepse gjithmonë kemi pasur të njëjtin problem në shtëpitë e prindërve apo edhe në shtëpitë e tjera ku kemi jetuar bashkë: Nuk qëndronim dot shtrirë nga i njëjti krah, sepse s’kishte hapësirë mjaftueshëm. Kështu që investuam në një divan të bollshëm dhe të rehatshëm për të mos goditur më njëri-tjetrin me shkelma.
…Dhe siç po thoja, me gjithë premtimet që i bëra vetes dhe divanit që më kërkonte, nuk arrij dot të kthehem në orarin e planifikuar. Puna në televizion të mban varur për shumë gjëra. Turjani kthehet më shpejt se unë por oxhakun nuk e ndez dot, edhe nëse ia lë gati sa për të ndezur thjesht shkrepesen.
Me këtë do të thuash që Turi aq punëtor në televizion qenka Turi dembel në shtëpi?
Nuk e ndez dot oxhakun. E kisha lënë njëherë gati, vetëm për ta ndezur dhe kur vij kishte ndezur kondicionerin. “Nuk i vije dot shkrepësen?”, i them. “E vura po nuk ndezi”!
Po pasi të gjitha vihen në terezi, oxhak e darkë bashkë, çfarë lihet pas dere? Apo nuk ka rregulla e biseda të ndaluara në shtëpinë tuaj? Ka shumë çifte, për shembull, që nuk bisedojnë për punën në shtëpi…
Jo, nuk kemi filtra në shtëpinë tonë. Une jam gjithnjë ekspresive kur futem në shtëpi. Vdes t’i gjuaj atletet e Turjanit si top futbolli sapo futem në derë. Hahaha.. janë gjithmonë aty nëpër këmbë. Nuk mungojnë kurrë dhe mua më argëtojnë pa masë. Pastaj shkëmbejmë përkëdheljet e ditës, për të vazhduar me ngjarjet që na kanë shpëtuar pa folur.
Pra, nuk qenka vetëm shkrepësja problem…
Nuk e vret shumë mendjen. Ndërron tre palë këpucë në ditë dhe të tre palët janë mu në mes të shtëpisë dhe unë ngatërrohem nëpër to sa herë që hyj me çanta nëpër duar.
Dhe nëpër çanta ka gjithçka që duhet apo ka edhe në celularët tuaj mesazhe të tipit: zemër, bli bukë, qumësht, zbutës rrobash, paguaj faturën e ujit?
Në të shumtën e rasteve shkëmbejmë mesazhe për të blerë ujë. Eshtë pija e preferuar e tij. Unë e bëj pazarin gjithmonë dhe janë të rralla rastet kur harroj të blej ndonjë gjë. Por mund të kujtoj që kërkesa e fundit me mesazh ndaj Turjanit ishte për pambuqet e pastrimit të fytyrës.
Pamë një pasdite në Instagramin tënd se një tavë që të ndizte nepsin dola nga furra. Seç kemi një ide që ti nuse për shtëpi
Unë vdes të gatuaj… e shijoj shumë atë moment. Më jep qetësi dhe shumë kënaqësi. Një nga arsyet pse përpiqem të kthehem herët në shtëpi është që ta marr me terezi dhe të mos bëj të njëjtën pjatë të një dite apo tre ditësh më parë. Eksploroj shumë dhe jam gjithë kohës duke provuar receta të reja. Ndjek faqe që më frymëzojnë dhe përpiqem që t’i përshtas me ato që më ndodhen në shtëpi.
Në fakt, ti të jep përshtypjen e një kukulle porcelani krijuar për t’u adhuruar, por ne e dimë se ekrani është një gënjeshtër e madhe. Po na thua që kuzhina është qoshja jote e preferuar e shtëpisë?
Me vitet gjërat kanë ndryshuar. Ndryshe nga nënat tona, që kishin 1000 gjëra për të bërë kur ktheheshin në shtëpi… rroba për të larë me dorë, furnelën e vajgurit për të pastruar, sobën e drurit për ta mirëmbajtur që mos nxirrte tym në gjithë shtëpinë, enë për të larë e shumë të tjera, besoj se jam e jemi me fat për lehtësirat që kemi dhe të bësh minimumi një vakt në ditë vetë është për kënaqësinë personale besoj. Kohët e fundit kam provuar me peshkun dhe frutat e detit. Them se ia dola…
A është Turi adhurues edhe i duarve të tua të zhytura në brumë?
Turjani dashuron ushqimin në përgjithësi. Deri më tani ka ndodhur vetëm një herë që aprovoi mospëlqimin tim ndaj një kotolete pule që kisha gatuar një ditë. Po ishte e gatshme, unë thjesht e kisha futur në furrë hahaha
Je natyrë “mos u afro kur gatuaj unë” apo të dy mund të jetoni mes tenxhereve?
Turjani nuk e ka me qejf të gatuajë dhe në zonën e gatimit futet vetëm kur do të pickojë ndonjë gjë. Nga ana tjetër, mua më pëlqen të qëndroj me veten kur gatuaj, duke kthyer edhe ndonjë gllënjkë nga gota e verës mbi tavolinë.
Kemi ca shembuj të njerëzve të njohur që recetat me të cilat kanë joshur partnerët i kanë bërë dhe libër. E ke dhe ti një kalë beteje gastronomike?
Jo, nuk e kam menduar një gjë të tillë. Mendoj që nuk bëj receta të jashtëzakonshme dhe të paeksploruara më parë nga të tjerët.
Një ditë tjetër po në Instagram pamë që të kishte zënë hallin me furrën që duhej pastruar. Kush është hirushja e shtëpisë?
Dy herë në javë nuk jam unë hahhaha. Megjithatë, kujdesem të mbaj rregull në shtëpi.
Ne nuk duam të besojmë që pas 5 vitesh bashkëjetesë ju kemi një mbrëmje të zakonshme. Prandaj nuk po bëjmë pyetjen klasike “si është mbrëmja në shtëpinë tuaj?”. Jemi vetëm kuriozë të dimë cila është mbrëmja më e lezetshme ndër to
Film, kokoshka, libra, çaj i nxehtë, biseda, celular, qetësi, ushqim… Në këtë periudhë i kemi të ndara. Unë pjek gështenja, ndërsa Turjani do fara të pjekura vetë, nuk i do të gatshme. Mbrëmjet tona janë të ndryshme çdo ditë por dy gjëra nuk ndryshojnë kurrë. Oxhaku ndizet sapo unë futem në shtëpi dhe fazën e parë të gjumit e filloj në divan (si është e mundur që kam filluar flej edhe gjate serialit tim të preferuar?). Ndizen qirinjtë aromatikë. Pasi marr nga Turjani komplimentet për darkën, është momenti për të shijuar gështenja e fara, ndonjëherë me ndonjë gotë verë. Dimri është afër, kështu që në këtë periudhë unë filloj dhe bëj verë të ngrohtë, “mulled ëine”.
A kanë filluar të nxjerrin kokën pasdite të tipit laps e letër “o zot sa kemi harxhuar këtë muaj?”
Jo, akoma jo.
Vetëm kohët e fundit ti na ke zbuluar ca copëza shtëpie dhe duhet thënë që komplimentet ju takojnë me tepri për atë stil arredimi. Si u krijua ajo shtëpi?
Uffff, mos më pyet më mirë. Kam vetëm një këshillë: shtëpia juaj kushton 3- fish më shtrenjtë dhe kërkon më shumë kohë nëse merrni arkitekt. Më mirë se e bëni ju, nuk di e nuk e bën askush.
Është shtëpia juaj e preferuara e miqve? A ftoni njerëz për dreka e darka?
Ambjenti i dhomës së ndenjies ka gjithmone vend për miqtë, nëse janë nga ata tipa që duan të rehatohen. I shijojmë shumë mbrëmjet me miqtë.
Nuk duam t’ju marrim më sysh, por ti dhe Turi të jepni idenë e çifteve të filmave. Sikur e keni jetën lule dhe zemra. Apo është vetëm jetë rrjeti ajo?
Faleminderit Zotit, nuk qahemi. Është shumë e rëndësishme që ta duam njëri- tjetrin në çdo moment dhe ta tregojmë që e njohim mirë dhe kujdesemi për lumturinë tonë. Për shembull, unë i kam problematike mëngjeset. Zgjohem herët, e para dhe shpesh turivarur. Por Turjani kujdeset që ta kaloj me qetësi atë moment, duke bërë edhe shaka me sjelljen time. Mbrëmjet tona janë mes përqafimesh dhe i gjithë stresi i ditës apo ndonjë mërzi karshi njëri-tjetrit kalon më kollaj. Megjithatë, unë në fund të ditës nuk harroj ta falënderoj Zotin për bekimet që më ka dhënë…
Ndërkohë që e gjithë bota e njeh si “Turi”, ty nuk të kemi dëgjuar kurrë ta thërrasësh ashtu, por gjithmonë Turjan…
Gjithmonë i kam thënë Turjan, që në ditën e parë. Kam mësuar edhe të tjerët ta thërrasin Turjan. Dhe nuk jam mësuar t’i shkurtoj emrat që në shtëpinë time. Kështu që kur kam mësuar emrin e gjatë të Turjanit, m’u duk shumë i bukur për ta shkurtuar.
Po ai ta shkurton emrin ty?
Jo, asnjëherë. Vetëm nëse do që të më nervozojë, kur është në qejf. Ia kam qartësuar që në fillim që nuk më pëlqen.
Që ta bëjmë edhe ne siç e do tradita pas dasme, si po shkon ajo puna e bebeve? Turi kishte plane “të frikshme”…
Besoj që planet e Perëndisë nuk i ndryshon dot njeri, kështu që të dy duam shumë të kemi një familje të madhe. Uroj që të bekohemi.