Pas kritikave të forta, Atilla lë shtëpinë e ”Big Brother Kosova Vip 3”

Pas kritikave të forta, Atilla Kardesh, ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit ka lënë shtëpinë e ”Big Brother Kosova Vip 3”, dy ditë pasi u bë banor. Ky vendim vjen pas një reagimi të fortë publik nga shoqëria civile dhe institucione të ndryshme, përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Atilla vullnetarisht ka lënë shtëpinë, teksa pati disa fjalë për banorët dhe ish-bashkëshorten e tij, duke lënë të nënkuptohen se dëshiron që të gjitha konfliktet eventuale apo edhe urrejtja mes tyre të futën nën “dhe”, duke shikuar të ardhmen për fëmijët e tyre.

”Ka pasur shumë hipoteza se përse jam unë këtu, lojë, me i qartësu gjërat, me i shpjegu gjërat apo me ju shti me mendu. Me kërku falje.. kështu që siç e dini unë e Drenusha i kemi dy fëmijë bashkë dhe kemi qenë 10 vjet bashkë ku kemi pasur momente të mira e të këqija, nuk i kemi ditë këto punë dhe ndodh që kemi gabu, pasi dy fëmijë kanë hy në lojë nga unë dhe ajo. Raporti im me ju është shumë i rregullt kam hy me ju tregu kush jam e çka jam, qëllimi im ka qenë me ju drejtu edhe Drenushës që i kemi dy fëmijë si drita dhe mirëqenia e tyre është e imja dhe e jotja, unë besoj dhe shpresoj që konflikti dhe urrejtja të futen në dhe dhe të shohim para për të dy fëmijët”,– u shpreh Atilla Kardesh.

Reagimet u intensifikuan pas hyrjes së tij në të njëjtën shtëpi me Latifin, e cila në të kaluarën e ka akuzuar Kardesh për dhunë dhe ka qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Prania e tij në program së bashku me ish-partneren ka shkaktuar shqetësime të mëdha, me kërkesa nga publiku dhe institucionet për marrjen e masave për të shmangur çdo situatë që mund të shkaktonte stres ose kërcënim për Drenushën.

Largimi i Kardesh përfaqëson një rast të rëndësishëm që nxit reflektim për përgjegjësinë e transmetuesve publikë në raport me sigurinë e pjesëmarrësve të tyre. Ndërkohë, rrjetet sociale janë mbushur me komente dhe reagime që mbështesin vendimin për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit e këtij formati të njohur televiziv.

LIVE: Atilla lë shtëpinë!

SHKARKO APP