Pasioni i “çmendur” i gazetarit të njohur: Kam qendisur pajën e 3 motrave

E keni parë çdo të premte në TOP SHOW MAG, ku detyra e tij është të zbulojë sa më shumë nga jeta e personazheve publike të ftuara në panelin e Alban Dudushit.

Por këtë herë gazetari Ervin Kurti është në rolin e të intervistuarit dhe është ai që ndan me publikun një pasion krejt të veçantë, qëndisjen.

I cilësuar si një hobi më shumë për femra sesa për meshkuj, Ervini shkakton jo pak reagime kur flet për të, shkruan revista Living.

Si nisi pasioni yt për qëndisjen dhe pse pikërisht ky pasion?

Të them të drejtën, nuk di në është pasion apo nevojë, por di të them se ka nisur në vogëli, kur isha 8-9 vjeç. Unë kam tri motra dhe siç është zakoni shqiptar që secila vajzë përgatit pajën, unë isha “shpëtimtari i tyre”.

I referohemi vitit `92-`93. Në atë kohë nuk ekzistonin modele qëndismash me katalogë dhe detyrimisht ishin fqinjët ata që i kishin të trashëguara brez pas brezi nga nënat e tyre.

Kështu, unë shkoja dhe u merrja këllëfët e jastëkëve, çentrot, çarçafët etj., e motrat merrnin modelin. Përdornin një letër kalt, vajguri dhe një lugë alumini, të cilën e lyenin me një laps plumbi dhe nxirrnin modelin. Kur e kujtoj sot, them: “Si e bënin?”

Në morinë e këtyre “borxheve”, ashtu si me dhunë, fillova të mbushja edhe unë ndonjë lule me gjilpërë. Më pëlqente më shumë të qëndisja thasët e kafesë, sepse kanë një punim të madh, bëhej modeli, kryesisht trëndafila, dhe pjesa e sfondit mbushej me një ngjyrë neutrale.

Ah, ç`kemi hequr për t`i bërë! Ama kishte lezet kur dilte në fund, krenohej gjithë fisi!

Cili ishte më saktësisht kontributi yt në qëndismat e tyre?

Motrat më linin mbushjen, pasi ishte më e thjeshtë dhe permes saj mbuloheshin gabimet.

Një pjesë e madhe e pajave ruhen ende në komodinat e tyre, si dikur, të sistemuara në qese e të mbyllura me hekur të nxehtë që në vitin `92. Është fantastike kur e mendoj.

Në sepet ruajmë akoma gjergjefin që e ka sjellë halla nga Greqia në `90-ën, molinetë, modele qëndismash në letra kalt, si dhe disa letra kopjative.

Mbaj mend që përpos modelit, unë i dërgoja këllëfët e jastëkëve dhe çarçafët për t`i bërë ose me azhur ose me fiston, në varësi të preferencave, tek një person i specializuar në lagje.

Copat kanë qenë kryesisht të bardha, (kambrik), jeshile, bojëqielli dhe rozë pastel, sepse me to mund të punoje me moline të bardha. Kryesisht qëndisnin luledele.

Kusht ishte që edhe fistoni (valëzimi anësor i çentrove, që copa të mos dilte fijesh), të ishte me të njëjtën ngjyrë si lulja.

Si reagojnë njerëzit kur mësojnë se di të qëndisësh?

Kur e morën vesh, të gjithë djemtë e palestrës së Kombinatit më përshëndesnin me shumë dashamirësi dhe mbanin mend çdo frazë timen.

U çudita në fakt, se nuk para ndodh që sidomos meshkujt të solidarizohen me mua. Ka të tjerë që më thonë që t`u lë radhë femrave për këto punë e se duhet të merrem me punë burrash.

Unë nuk e di cilat janë këto punët e mirëfillta të burrave që unë duhet të merrem, sepse të them të drejtën s’e kam kuptuar kurrë këtë ndarjen e roleve.

Unë jam rritur me një traktor DT me zinxhirë (ata që po e lexojnë do ta kuptojnë), pasi im atë ka qenë traktorist i dalluar për më shumë se tridhjetë vjet, me fleta lavdërimi madje për atë periudhë.

Fatkeqësisht, nuk marr vesh fare nga hekurat, ndaj anova nga krijimtaria. Kjo besoj s’më bën fajtor apo femër.

SHKARKO APP