Pjesë e finales së Eurovisionit/ Anxhela: Jemi vend i vogël, por kemi artistë shumë të mirë
”Karma” e kënduar në shqip nga Anxhela Peristeri siguroi mbrëmjen e djeshme biletën për në finalen e madhe të Eurovisionit që mbahet këtë të shtunë. Në konferencën për media pas përfundimit të natës së dytë gjysmë finale, ajo nuk i fshehu emocionet për të këtë sukses të vendit që përfaqëson, por edhe personal.
“Ndihem e lumtur, sepse Shqipëria e meriton, jemi një vend i vogël, por kemi artistë shumë të mirë. Të gjithë duhet ta njohin vendin tonë dhe muzikën tonë”. Anxhela nuk harroi të falenderojë edhe shqiptarët në diasporë që si gjithmonë kanë një rol jo të vogël në votim.
”Nuk kam fjalë të përshkruaj ndjenjat e mia tani. Ishte mahnitëse, sepse isha e para dhe nuk e prisja këtë. I dua të gjithë shqiptarët që më votuan, të gjithë shtetet europiane, jam shumë mirënjohëse. Ndihem shumë e lumtur tani. Faleminderit”,-tha më tej. Në natën finale, Anxhela këndon e dyta.