Princ Harry flet pa doreza: Nuk doja të ikja, por shtypi britanik gati më çmendi
Ndryshe nga intervistat e shkuara dhe larg kostumit të një princi, Harry pranoi për herë të parë, atë që e quan të vërtetën e tij. Në një intervistë 90 minutëshe për James Corden dhe emisionin “The Late Late Show”, princi britanik thotë se u detyrua të heqë dorë nga familja mbretërore vitin e shkuar, për shkak të shtypit britanik, që po i shkatërronte shëndetin mendor.
“Ne të gjithë e dimë sesi mund të bëhet shtypi britanik dhe kjo po më shkatërronte shëndetin mendoj. Ishte toksike. Ndaj bëra atë që çdo bashkëshort e çdo baba do të kishte bërë”, deklaroi Harry. Ai pranon se ai kurrë nuk do të shkëputet nga familja dhe detyrimet e tij, edhe pse prej një viti jeton në Los Anxhelos. “Jeta ime do të jetë gjithnjë në shërbim publik dhe Meghan e di këtë. Neve të dy na pëlqen kjo gjë”.
A ishte i detyruar të heqë dorë nga gjithçka familja mbretërore i ofronte? “Nuk do largohesha kurrë. Thjesht u tërhoqa dhe nuk u largova përgjithnjë. Ishte një ambient vërtet shumë i vështirë por kurrë nuk do braktisja familjen, pavarësisht vendimeve që u morën nga ana e tyre”, vijoi princi “rebel”.
Harry zbuloi po ashtu se sot argëtimi i tij më i madh nuk janë më portalet apo shtypi por seriali “The Crown”, dedikuar familjes mbretërore britanike. “Ndihem më shumë komfort me “The crown” sesa me historitë që shkruhen për mua, familjen apo gruan time. Pjesërisht bazohet tek e vërteta. Nuk është absolutisht ashtu por ky serial të jep një ide konkrete për stilin e jetës, presionin e detyrës dhe shërbimit të familjes mbretërore”.