Princ Harry: Humbja e nënës më la një boshllëk të madh në shpirt
Në parathënien e një libri për fëmijët e punonjësve të shëndetësisë, të cilët vdiqën nga pandemia e COVID-19, Duka i Sussex-it përmend dhimbjen që vuajti nga vdekja e nënës së tij, Princeshës Diana, që ndodhi në 1997, atëherë kur Princi Harry ishte 12 vjeç, një humbje që, siç e përshkruan ai vetë, i la “një boshllëk të madh brenda vetes”, por që përfundimisht u mbush me “dashuri dhe mbështetje”.
Libri, i titulluar “Hospital By the Hill”, i shkruar nga Chris Connaughton dhe i ilustruar nga Fay Troote, tregon historinë e një të djaloshi, nëna e të cilit vdiq ndërsa punonte në vijën e frontit në një spital gjatë krizës Covid.
Sipas “The Guardian”, libri do t’u dorëzohet javën tjetër fëmijëve që kanë vuajtur një pikëllim të ngjashëm, si pjesë e Ditës Kombëtare të Reflektimit, një iniciativë qeveritare për të shënuar përvjetorin e bllokimit në Britaninë e Madhe.
“Nëse jeni duke lexuar këtë libër, kjo është për shkak se ju keni humbur prindërit tuaj ose një të dashur dhe, megjithëse do të doja të mund t’ju përqafoja tani, shpresoj që kjo histori t’ju ngushëllojë duke ditur se nuk jeni vetëm”, shkruan Princi Harry në parathënie.
“Kur isha fëmijë, humba nënën time. Në atë kohë nuk doja ta besoja ose ta pranoja dhe kjo më la një boshllëk të madh brenda vetes. Unë e di se si ndiheni dhe dua t’ju siguroj se, me kalimin e kohës, ai boshkllëk do të mbushet me aq shumë dashuri dhe mbështetje”, shton ai në parathënien e librit.