Princesha e Suedisë u bashkohet bluzave të bardha për të ndihmuar kundër COVID-19 (Foto)
Stafi mjekësor kudo në botë ka nevojë për përforcime për ti bërë ballë pandemisë që ka pushtuar botën.
Përveç mjekëve të cilët u janë bashkuar kolegëve të tyre në ndihmë kemi parë mjaft raste ku elita të politikës dhe jo vetëm i janë kthyer profesionit të mjekut në këtë situatë.
Pas kryeministrit të Irlandës edhe Princesha Sofia e Suedisë ka filluar që të punojë në një spital të vendit në mënyrë që të ndihmojë në luftën kundër koronavirusit.
Princesha 35-vjeçare, e cila është e martuar me princin Carl Philip, bëri së fundmi një kurs mjekësor tre ditor në Universitetin Sophiahemmet në Stokholm.
Tani ajo do të jetë në gjendje të japë kontributin e saj dhe të ndihmojë në luftimin e pandemisë. Deri më tani, koronavirusi ka infektuar 12,540 persona dhe ka shkaktuar 1,333 viktima në Suedi.
Fotot e publikuara nga mediat tregojnë princeshën ndërsa pozon bashkë me anëtarët e tjerë të stafit në spitalin Sophiahemmet. Siç e kërkojnë rregullat, të pranishmit qëndrojnë në një farë distance nga njëri-tjetri.
Universiteti në fjalë po trajnon të paktën 80 persona në javë për të ndihmuar në përballimin e fluksit që kanë aktualisht personelet mjekësore në vend.