Princi William del kundër vëllait: Familja mbretërore është shumë joraciste

Duka i Kejmbrixhit, Princi William, ka thënë se anëtarët e familjes mbretërore janë familje shumë joraciste, në komentin e tij të parë pas akuzave të vëllait Harry dhe bashkëshortes së tij, Meghan, në një intervistë televizive.

Duke folur gjatë një vizite në lindje të Londrës, Princi William tha se ende nuk ka biseduar me vëllanë Harry për këtë çështje, por se do ta bëjë këtë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Pallati Mbretëror tha të martën se pretendimi se një anëtar i familjes mbretërore ka pyetur për ngjyrën e lëkurës së foshnjës së palindur është shqetësues, ndërsa çështja do të trajtohet në mënyrë private.

Në intervistën me moderatoren Oprah Winfrey, dukesha Meghan tha se bashkëshorti i saj, Harry, është pyetur nga një anëtar i paidentifikuar i familjes mbretërore se sa e errët do të mund të jetë lëkura e djalit të tyre.

Përpos kësaj, Meghan ka thënë se është ndier sikur dëshiron t’i japë fund jetës për shkak të mungesës së përkrahjes brenda familjes mbretërore në lidhje me shëndetin mendor.

Në tërë këtë përleshje, kryeministri britanik, Boris Johnson, është munduar të qëndrojë anash, duke thënë se puna më e mirë që mund të bëjë një kryeministër në këso rastesh është që të mos komentojë.

SHKARKO APP