Pse përfundoi keq ndarja e Era Istrefit me Faton Shoshin

Deri para pak muajsh quhej vajza me fat e muzikës, pasi personi, që e mbështeti në famën e saj ndërkombëtare ishte dhe njeriu i saj i zemrës, pikërisht menaxheri i suksesshëm nga Kosova, Faton Shoshi. Por pas dy vitesh “dashuri dhe famë” për Era Istrefin, kjo sagë e bukur dhe frymëzuese, duket se ka marrë fund. Mesa duket çifti ka qenë duke sheshuar mosmarrëveshjet, përderisa Fatoni e mohoi ndarjen pak kohë më parë, duke pohuar se asgjë s’kishte ndryshuar mes tyre. Nuk ka kaluar shumë kohë dhe shihet se ata jo vetëm që nuk postojnë foto bashkë, por kanë fshirë njëri-tjetrin nga lista e miqve në Instagram, që do të thotë se s’janë ndarë aspak mirë.

Ky vendim mes tyre erdhi pas eksperiencës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku çifti u vendos për bashkëpunimin e Erës me French Montana, këngës me titull “No I love yous”. Pas kësaj, çifti u përpoq ta mbante të fshehtë krisjen mes tyre, por ishte Robert Berisha, kunati i Erës, ai që dha lajmin se Era kishte ndërprerë marrëdhënien bashkëpunuese me Fatonin.

Natyrisht që lidhja e Era Istrefit me Faton Shoshin na bëri të besonim se ata ishin bërë për njëri-tjetrin, dhe fundi i tyre do të ishte i lumtur dhe që do të zyrtarizohej me martesë.

Por një vit pasi ata parakaluan si çift në tapetin e kuq të “Top Awards”, ku Era Istrefi ishte triumfuesja e çmimeve të vitit, lidhja ka marrë tjetër rrjedhë. 22- vjeçarja nga Kosova posedoi tre çmime në natën magjike të këngëtarëve të njohur, që u organizua në Pallatin e Kongreseve qershorin e kaluar, ndërkohë që u fotografua për herë të parë krah partnerit të saj të zemrës, Faton Shoshit. Artistja tashmë me famë ndërkombëtare e këngës së vitit që lamë pas “BonBon”, për hir të së vërtetës, ka arritur shumë në muzikë, edhe në sajë të mbikëqyrjes nga Fatoni, një menaxher dhe drejtues mediash me ndikim në Kosovë.

Për radion franceze “Causet sur NRJ”, ku edhe performoi për fansat e saj të shumtë vitin e kaluar, pyetjes së prezantuesit francez, Sebastien “A ke të dashur?”, ajo iu përgjigj: “Po, jam në një lidhje dhe jam shumë e lumtur”. Ndërkohë kujtojmë se ishte Fatoni ai që bëri të mundur lidhjen e kontratës 1.5 milionë dollarë me “Sony” dhe “Ultramusic”, kontratë që i hapi dyert e karrierës Erës në botë. Nuk dihet se çfarë ka ndodhur konkretisht që ata janë ndarë, por flitet se mosmarrëveshjet për lidhjen e kontratave ndërkombëtare i çuan deri këtu./Panorama Plus/

SHKARKO APP