Publiku i jep fitoren Ukrainës në “Eurovision 2022”. Zelensky: Do të bëjmë çmos që festivalin ta mbajmë në Mariupol

Nuk kishte dyshime. Ukraina ka fituar Eurovision 2022 me një mesazh të fortë pro paqes me këngën “Stefania” nga Kalush Orchestra.

Në vendin e dytë u rendit Mbretëria e Bashkuar e përfaqësuar nga Sam Ryder me këngën “Space Man”, gjersa në vendin e tretë Spanja, përfaqësuar nga Chanel me “SloMo”.

40 shtete votuan duke nxjerrë në vend të parë Mbretërinë e Bashkuar me 283 pikë, e ndjekur nga Suedia me 258 pikë, Spanja me 231 pikë dhe Ukraina me 192 pikë. Votat e publikut ndryshuan gjithçka. 439 pikë për Ukrainën, bënë që ajo të renditet në vend të parë me një diferencë të dukshme pikësh.

Fitorja e Ukrainës ka qenë e pritshme, ngase përveç këngës së bukur, është aluduar se shtetet europiane do të tregojnë një konsideratë të veçantë për shkak të krizës në Ukrainë, mes luftës së vazhdueshme të tyre me agresorin rus.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është shprehur i lumtur për fitoren e shtetit të tij në Eurovision, si edhe ka dhënë një premtim të madh. “Do të bëjmë çmos që një ditë të presim pjesëmarrësit dhe të ftuarit e Eurovizionit në Mariupol ukrainas”.

Postimi i plotë

Guximi ynë i bën përshtypje botës, muzika jonë pushton Evropën!
Vitin e ardhshëm Ukraina do të presë Eurovizionin. Për herë të tretë në historinë e saj. Unë besoj, jo e fundit. Do të bëjmë çmos që një ditë të presim pjesëmarrësit dhe të ftuarit e Eurovizionit në Mariupol ukrainas. E lirë, paqësore, e rindërtuar. Jam i sigurt se korda jonë fitimtare në betejën me armikun nuk është larg. Lavdi Ukrainës.

SHKARKO APP