Renato Mekolli i kthehet keq Ramës: Po falimentoj, shteti s’më ndihmoi
Shefi i kuzhinës dhe biznesmeni Renato Mekolli, ka reaguar lidhur me masat e qeverisë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Mekolli i kundërshtoi këto masa dhe ngriti akuzat se qeveria nuk i ka dhënë asnjë ndihmë, ndonëse kanë tre muaj pa punë.
”Jemi në një situatë tragjike. Restorantet prej 3 muajsh nuk kanë punë. Ndihmë nga shteti nuk ka aspak, është një situatë kaosi. Vërtetë ne kemi një orar deri në orën 21:00, por atëherë dalin të gjithë njerëzit dhe janë të qetë për të shijuar ndonjë darkë”, u shpreh ai në Euronews Albania.
Shefi i kuzhinës deklaroi se biznesi i tij është drejt falimentimit dhe se në këtë situatë ka shkarkuar nga puna 8 persona.
”Greqia u mbyll më vonë dhe sot që flasim janë hapur të gjitha. Turizmi, restorantet dhe lokalet janë të hapura. Jam pro masave dhe protokollit të sigurisë, por nuk mund të na vënë kufizime. Po falimentojnë bizneset, jashtë kanë mbështet nga shteti këtu nuk ka asnjë lloj mbështetje. Kjo është qesharake. Në një kohë normale në kuzhinën time duhet të ishin 15 veta, tani janë 7 persona. Këtu çalon gjithçka se asnjëri nuk ka besim, ka dhe interesa personale dhe të gjithë nuk bëhen bashkë”.