Rita Ora zbulon frikën e saj më të madhe dhe i prek të gjithë me rrëfimin e sinqertë
Në vitin 2005 nëna e Rita Orës, Vera Ora, u diagnostikua me kancer gjiri dhe asokohe ajo ishte vetëm 39 vjeçe.
Lufta e saj me kancerin nuk ka qenë aspak e lehtë dhe duket se kjo gjë ka ndikuar shumë edhe tek Rita Ora. Ajo ka treguar për “The Sun” se që prej asaj kohe jeton me frikë se mund të ketë të njëjtin fat si nëna e saj, edhe pse testi i gjenit ka treguar të kundërtën.
“Thonë shikoni mos keni ndonjë kokërr në gjoks, por nëna ime nuk kishte, ajo kishte thjesht një dhimbje të fortë dhe sërish shkoi e u kontrollua. Unë kam bërë testin BRCA (testin e trashëgueshëm të kancerit të gjirit) dhe testin e gjenit dhe për fat të mirë, nuk e kam gjenin. Por gjithsesi unë sërish kontrollohem rregullisht. Gjenteikisht, ne nuk kemi pasur ndonjë histori me kancer gjiri në familje përpara nënës sime, por ajo sërish u diagnostikua me të. Ka shumë video online që të ndihmojnë dhe që unë i kam përdorur. Duhet të jeni të informuar për trupin tuaj”, ka treguar Rita.
Vera u diagnostikua me një formë agresive të sëmundjes, dhe pas kimioterapisë dhe rrezatimit, bëri një mastektomi të pjesshme. Rita ka pranuar se gjatë të 20-tave të saj ka qenë shumë e shqetësuar se mund të diagnostikohej edhe ajo me kancer gjiri. Këngëtarja ka treguar se ajo punon shumë me mendjen e saj duke mësuar gjithçka për këtë gjë dhe se ushtrohet e shkon në terapi për të mos pasur atake paniku.