Rrëfehet balerina e njohur shqiptare: Ju tregoj për rivalitetin që ka mes kolegëve
Ajo është një nga balerinat më të dashura për publikun. Bukuroshja ka rrëmbyer zemrat e teleshikuesve me performancat dhe energjinë pozitive që përcjell. Isida Mollaymeri vjen në një rrëfim krejt ndryshe për suplementin “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”, për të ndarë me ne vështirësitë e të qenit balerinë, aventurat, rivalitetet mes kolegëve, për natyrën e saj, pushimet si dhe projektet më të afërta. Sipas saj, bota e artit në përgjithësi të fal më së shumti kënaqësi shpirtërore se sa të mira materiale. Për të është shumë e shtrenjtë mbështetja e publikut, pasi ata e motivojnë. Isida na tregon për fobitë që ka ndaj lartësive dhe pasionin për udhëtimet.
Balerina pohon se mes kolegëve ka rivalitete, po asaj nuk i ka interesuar kurrë kjo gjë. Është e rëndësishme që luftën ta kesh me veten, pasi ajo të shtyn që të punosh fort dhe të ecësh përpara. Mollaymeri thotë se e thërrasin çafkë, ngaqë është mjaft kërkuese në punë. Ajo është e përkëdhelura e të gjithëve si në familje, ashtu edhe nga miqtë. Balerina deri më tani nuk ka pasur kohë mjaftueshëm për pushime, por shumë shpejt do udhëtojë drejt Turqisë dhe Spanjës. E pyetur për projektet më të afërta dhe surprizat që do sjellë për publikun, Isida thotë se impenjimet fillojnë në shtator dhe se i është përkushtuar totalisht biznesit që sapo ka hapur.
A po fiton terren baleti në Shqipëri?
Terren nuk mund të them, sepse edhe në shfaqe janë po të njëjtit njerëz që vijnë. Është po i njëjti publik le të themi, që vjen e shikon shfaqjet. Mua më vjen mirë se gjithmonë shfaqjet e baletit janë plot dhe kjo është një gjë për t’u uruar. Do kisha shumë dëshirë që pjesa më e madhe e publikut të ishin të rinj, megjithëse nuk është kështu. Nuk është se të rinjtë janë kaq shumë artdashës. Nuk shoh nga ana e tyre një dëshirë për të ardhur për të parë balet, opera apo qoftë edhe teatër. Unë shkoj të ndjek teatër edhe vetë dhe e shoh që nuk është se ka të rinj, po më shumë grupmosha nga 30 e sipër, por që është mirë. Mua më vjen mirë se nuk mund të kërcej pa publik. Me të mund të japësh e të marrësh, pasi po nuk pate diçka ku të marrësh, ti nuk përcjell dot asnjë emocion.
Ku qëndron vështirësia e të qenit balerinë?
E para ekonomikisht është një gjë që nuk kënaqesh kurrë. Po të krahasosh nivelin e ekonomisë me nivelin e kënaqësisë që të jep arti janë dita dhe nata. Niveli ekonomik është zero, ndërkohë që kënaqësia që ti ke kur je në skenë është 100%. I bie që gjithmonë të zgjedhësh e ne zgjedhim kënaqësinë. Unë do të doja që të vlerësohej pak më shumë arti në Shqipëri.
Si ia bën që je kaq në formë?
Përveç se i gjej gjithmonë vetes punë, përtej baletit jam gjithë kohën me angazhime. Më në fund pas kaq vitesh që doja të hapja një biznes timin, e hapa. Shkoj në palestër sigurisht, angazhimet e tjera, “Dancing with the stars” dhe shfaqjet private. Jam gjithë kohën në lëvizje, kështu që kjo më mban në formë, pa harruar dhe ushqimin. Unë ha çdo gjë dhe ha rregullisht. Nuk ha jashtë, nuk ha keq, ha ëmbëlsira, akullore pafund. Mund të them që kam dhe luksin që nuk shëndoshem. Ndoshta e kam metabolizmin e tillë.
Cili është ai moment që do e konsideroje si më të vështirin në skenë?
Në skenë nuk mund të them, pasi atje ndihem më rehat se në prova. Këtë ma ka pas thënë edhe Agron Aliaj, që jam shumë ndryshe në prova në krahasim me skenën. Nuk dua t’ia di kush është rreth e rrotull kur jam në skenë. E shijoj pafund. Jam vetvetja e prandaj arrij të përcjell 100% atë që dua të jap. Bota fillon e mbaron aty në momentin kur unë performoj në skenë. Më thonë të gjithë që edhe kur kërcej në trupë dallohem dhe kjo është një gjë shumë e mirë.
Nëse do e ktheje kohën pas, çfarë do kishe dashur të ndryshoje?
Nëse do e ktheja kohën pas do kisha dashur që prindërit e mi të kishin qenë më të pasur, që të bëja shkollën në Angli. Kur kam qenë në vit të katërt kam fituar një konkurs, që mund të vazhdoja shkollën jashtë. Shkolla e baletit ishte shumë e shtrenjtë në Londër edhe prindërit e mi nuk kishin mundësi ta paguanin.
Cili kërcim të përfaqëson më tepër?
Unë jap maksimumin tek të gjitha kërcimet. Baletin klasik e dua fort, kontemporani më pëlqen, karakteret po ashtu. Mund të them që kërcimi që e ndjej më shumë veten është ai klasik. Në teatër ndihem shumë mirë gjithmonë.
Të pëlqejnë aventurat? Do cilësoje ndonjë si të rrezikshme?
Unë përfshihem shumë në aventura, po s’e di nëse do quheshin të rrezikshme apo jo. Aventurat quhen të bukura se janë të papritura dhe ajo që ndodh është e çuditshme. Si të rrezikshme mund të quaj ngjitjen në Pilul. Unë i kam pak si fobi lartësitë, kam problem edhe kur nuk jam vetë në timon.
A ka rivalitete mes balerinëve?
Oh, ka shumë rivalitet. (qesh) Ka rivalitet në mënyrë që njerëzve të zakonshëm nuk u shkon mendja. Unë s’jam marrë kurrë me këtë pjesë, se nuk më ka interesuar dhe më vjen shumë për të qeshur. Mendoj se secili nga njerëzit ka fatin dhe kismetin e vet. Për mua janë bërë gjithmonë njerëzit xhelozë. Edhe mikeshat e mia, që unë i kam menduar se i kam mikesha të vërteta kanë shfaqur xhelozi. Mua më ka ardhur keq për këtë gjë. Nuk mendoj se rivaliteti e ushqen njeriun, domethënë rivaliteti duhet të jetë brenda teje për llogarinë që ke ndaj vetes, nuk duhet të jetë karshi personit përballë. Në mos Isida, do jetë dikush tjetër, gjithmonë do ketë një person përballë që mund të jetë më i mirë se ty. Mund të jetë edhe më i keq, por mund të ketë mik. Ç’rëndësi ka kjo gjëja. Do jetë një hap para teje gjithsesi. Unë mendoj që secili duhet të shohë mirë atë që bën vetë, pa parë të tjerët. Këtë që sapo thashë, unë e kam si ligj te vetja, ndaj jam personi më pak xheloz në jetë.
Çfarë natyre ka Isida?
Isidës i thonë të gjithë çafkë. Jam shumë çafkë në fakt. Kam shumë kërkesë llogarie në punë, kur udhëheq vetë jam bishë. Ata që më njohin vërtetë dhe miqtë e miqtë e mi që janë jashtë punës sime thonë që unë jam njeri shumë i brishtë. Jam tjetër gjë e asaj çafkës që tregoj në punë. Në art është si në xhungël. Ose duhet të hash, ose duhet të të hanë. Kështu që duhet të jesh i gjallë. Nuk është se kam pasur prindërit artistë apo të kem pasur ndonjë mbështetje. Unë kam qenë gjithmonë vetëm, kështu që më është dashur të luftoj për gjërat dhe të drejtat e mia. Kjo ndoshta më ka bërë të jem pak çafkë dhe e zonja e vetes, po jam tip shumë i gjallë. Të gjithë më thonë se jam “ON”. Jam e qetë vetëm kur jam me pushime, me miqtë, por në punë jo.
Si e organizon një ditë të zakonshme?
Si e organizoj s’e di, por gjithmonë më del gjithë dita e zënë. Jam gjithë kohën në punë. Pas pune i gjej vetes edhe një punë tjetër. (qesh) Më pas më del ndonjë kinema ose teatër, ose duhet të po ndonjë kafe me ndonjë shoqe. Shpesh shkoj në Durrës për të parë perëndimin, kështu që varet nga dita. Natyrën e kam shumë qejf, udhëtoj shumë. I adhuroj udhëtimet, për mua janë kënaqësia më e madhe që mund të ketë njeriu. Harxhoj shumë lekë për të udhëtuar. Mendoj që mëson shumë, shikon gjëra ndryshe.
Sa është e përkëdhelur Isida?
Jam shumë e përkëdhelur. Në fakt, më kanë përkëdhelur të gjithë. E gjithë shoqëria më thërret princeshë, sa edhe në punë kur duan të më nervozojnë më thotë “Ti je mësuar like a princess”. Në shtëpi jam shumë e përkëdhelur. Unë mund të gatuaj, ose mund të bëj punë vetëm në verë, kur është Bajram ose kur është viti i ri. Çdo gjë ma bëjnë prindërit, madje edhe në mëngjes më zgjon babi me shumë dashuri, kështu që jam e përkëdhelur nga të gjitha anët. Mendoj se jam e përkëdhelur nga Zoti dhe e falënderoj shumë atë për këtë.
Je vajza që u tregon gjithçka familjarëve apo nuk flet me ta?
Mamit dhe babit i tregoj shumë pak. Nuk dua t’i shqetësoj. Ata dinë 1% të gjithë problemeve që unë kam hasur. Në familje tregoj vetëm gjërat e qejfit.
Cili është përkufizimi që do i jepje lumturisë?
Sa miq ka Isida? Je selektive apo përshtatesh me këdo?
Kam shumë miq, por edhe përshtatem me këdo. E kam thënë gjithmonë dhe e rithem që Zoti është treguar shumë bujar me mua, pasi në jetë time më ka lënë vetëm njerëzit e mirë. Jo se i kam unë pranë vetes dhe janë njerëz të mirë, por sepse njerëzit e mirë e tregojnë veten në ditë të vështira. Sa herë që kam pasur ditë të vështira në jetën time, të gjithë miqtë që kam rreth e rrotull kanë qenë pranë meje. Ata që nuk kanë qenë pranë meje, nuk janë më në jetën time.
I ke planifikuar pushimet për këtë verë? Ku do pushosh?
Me atë po merrem. (qesh) Të them të drejtën nuk kam pasur kohë që të merrem me pushimet. Ndoshta në Spanjë, nuk e di akoma, nuk e kam vendosur. Dua të iki tri ditë tek Almeda, te shoqja ime në Turqi dhe më pas them të iki në Spanjë.
Cilat janë projektet e tua më të afërta? Me çfarë do na surprizojë Isida?
Kam një projekt në shtator. Projekti më i ri është biznesi që sapo kam hapur, linja e produkteve “Vagheggi”. Tani është vetëm për femrat, më vonë do jetë edhe për meshkujt. Pastaj është pjesa e teatrit, kalendari është i ngjeshur si gjithmonë.
KOHA JONË SONDAZH




Mendoj që njeriu duhet të njohë veten që të jetë i lumtur. Nëse njeriu e njeh veten dhe e pranon ashtu siç është, atëherë është i lumtur.