Rrëfimi përtej politikës, Veliaj flet për kohën që kalon me të birin, Kajanin
Përtej fushatës dhe politikës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka treguar një anë tjetër, atë të babait të Kajanit dhe kohën e çmuar që i pëlqen të shpenzojnë bashkë. Në një intervistë në emisionin e pasdites “Rudina” në TV Klan, kryebashkiaku Veliaj rrëfeu disa nga aktivitetet që ata bëjnë bashkë, nga filmat që shohin te përrallat që i lexon djalit.
“Në këto ditë të fushatës jemi duke parë për të 17-tën herë, pra kemi dhe 12 ditë derisa të mbarojë fushata, filmin “Home”. Kai i di përmendësh të gjitha batutat. Flet për një grup alienësh që kërkon një botë të re. I them, bab’ mund të shohim një film tjetër se babi mirë që ka gjithë ditën që thotë të njëjtat gjëra, por vjen dhe në shtëpi dhe sheh të njëjtin film, po gjithmonë me thotë: ‘Babi, kjo është hera e fundit’. I thashë mos më bëj premtim fushate, në qoftë se është hera e fundit është hera e fundit, edhe qeshim me lot. Tani jemi duke lexuar disa nga përrallat e shqipëruara të Vëllezërve Grim dhe Kai që më thotë: kaloje, kaloje këtë se e di. O bab’ i thashë unë, mirë që s’më lënë në asnjë studio të mbaroj fjalën, po tani dhe në shtëpi nuk mbaroj dot fjalën”, tha Veliaj.
Një tjetër pasion i djalit të tij Kajan është edhe futbolli. Me batutë, Veliaj u shpreh se këtë pasion Kajan e ka zhvilluar edhe në shtëpi.