Sfida e Ronës, Kosova të konkurrojë në Eurovision

Rona Nishliu i është rikthyer angazhimeve artistike. Ajo ndodhet në Spanjë për Kongresin e 13 të OGAE. OGAE qëndron për Organisation Générale des Amateurs de l’Eurovision dhe konsiston në një rrjet prej 40 klubesh fansash të Eurovision nga gjithë bota. Klubi Shqiptar i Eurovisionit është një prej anëtarëve.

Në një panel në kongres, Rona tha se tani është pjesë e Radio Televizionit të Kosovës dhe synon të bëjë të mundur pjesëmarrjen e Kosovës në Eurovision. Informacioni është i cunguar për momentin dhe nuk dihet ende se ç’hapa po ndërmerr Nishliu për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës por diçka është e sigurt: E pret një rrugë e gjatë dhe e lodhshme.

Që Kosova të marrë pjesë në Eurovision, duhet që Radio Televizioni i Kosovës të jetë anëtar European Broadcasting Union (EBU). Që të bëhet anëtar i EBU, RTK duhet të jetë së pari anëtar i International Telecommunications Union (ITU). Këtu lind problemi. Që RTK të bëhet anëtar i ITU, duhet që Kosova të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara. Duke marrë parasysh se Kosova nuk njihet ende si shtet i pavarur nga shumica e botës, pjesëmarrja në Eurovision është e largët.

Në 14 vite pjesëmarrje të Shqipërisë në Eurovision, vetëm Rona arriti rezultatin më të lartë, atë të vendit të pestë. ”Suus” nga Rona Nishliu, është cilësuar si një ndër krijimet më të veçanta të Festivalit Europian të Këngës.

SHKARKO APP