Sherri pas ”Këngës Magjike”, Flori Mumajesi ironizon gazetaren Kurti: Ftoj syleshat…
Alban Ramosaj është fituesi i “Këngës Magjike 2021”, dhe si kurrë më parë, diskutimet pas finales nuk kanë të mbaruar. Kozeta Kurti, një nga 5 anëtaret e jurisë së festivalit, bëri një deklaratë të gjatë në rrjete sociale, ku ndër të tjera tha edhe se fituesi, Alban Ramosaj nuk ishte këngëtari më i mirë dhe nuk e mbrojti dot këngën, por kishte këngën dhe ajo është e para.
Flori Mumajesi, me të cilin Alban Ramosaj ka bashkëpunuar për “Thikat e Mia”, postoi vetëm një pjesë të asaj çfarë u tha nga Kozeta Kurti, duke shtuar “Një shkrim i nxitur nga mllefi kolektiv! Ftoj të gjithë syleshët që morën pjesë në festival që nga fituesi deri tek ata që nuk patën mundësi të kualifikohen, të mos ndihen sylesh! Kam shkëputur nga shkrimi vetëm thikat e panevojshme.
Çfarë arrogance për të gjithë ne syleshët që mbetëm në dorën tënde, të na votosh dhe të na vendosësh epitete më pas. Bravo! Të lumtë! Mbase e meritojmë të na votosh si të duash, por të lutem përtej kësaj mos e mpreh shpatën pa numëruar deri në 10. P.s: Si mikeshë që të kam, edhe pse nuk shquhem për të numëruar deri në 10, po e bëj!”
Kjo përgjigje ka marrë një reagim nga Kozeta Kurti. “Muzika është më e madhe se “Kënga Magjike”. Reflektimi është përtej Këngës Magjike, ndonëse e drejta e interpretimit është tërësisht personale! Më vjen vërtet keq që vetë-etiketohesh sylesh. Sylesh është çdo profil pa identitet në rrjete sociale. Mirënjohëse përgjithmonë Flori Mumajesit, Brunos, Klajdi Harunit dhe Fifit, që për shkak të promos së jashtëzakonshme që keni, më keni ndihmuar të lexojnë mendimet e mia, mijëra njerëz për shkak të kuriozitetit shkaktuar tek ndjekësit tuaj! Ju dua të gjithëve”.