”Sherri” për klikime dhe audiencë, përmes një kërcimi Big Brother i përgjigjet Fermës
Një video e publikuar nga Arbër Hajdari, ku shfaqen Ledion Liço, Monika Kryemadhi dhe vetë ai duke kërcyer në studio, në një atmosferë të relaksuar, mund të duket si një postim i zakonshëm gjatë “Big Brother VIP”. Në momentin që në video bëhet tag edhe Sara Hoxha, e cila më pas e riposton në Instagram, dhe më pas e riposton edhe Ledioni, historia nis të marrë një tjetër ngjyrim.
Në sipërfaqe, mesazhi është i thjeshtë: jemi mirë, jemi bashkë, jemi në humor, jemi të pashqetësuar. Mirëpo dje, gjatë transmetimit të “Ferma VIP”, Ermal Mamaqi, opinionist në program, tha një fjali që u lexua menjëherë si thumb: “Dikush më tha që ti do jesh ai Hajdari i Fermës.” Ishte një batutë, po. Por jo nga ato që kalojnë menjëherë. Ishte nga ato batuta që bëjnë punën e tyre pikërisht sepse thuhen si shaka.
Pikërisht për këtë arsye, videoja e postuar nga Arbër Hajdari, merr një tjetër kuptim. Sepse nuk është thjesht Arbri që poston një moment të bukur nga studio, por poston një video me Ledionin dhe Monikën, bën tag Sarën, Sara e riposton, Ledioni po ashtu, dhe krejt papritur krijohet një imazh i qartë: ekipi i “Big Brother” është aty, i bashkuar, i qeshur, sikur po thotë se nuk ka asgjë për t’u diskutuar.
Ka edhe një detaj tjetër që e bën këtë lëvizje më pak rastësore seç duket. Sara Hoxha, këtë sezon, ka postuar pothuajse vetëm detaje profesionale në raport me “Big Brother VIP”. Në përgjithësi, ajo ka postuar përmbajtje promocionale të prime-ve, materiale zyrtare, elemente të komunikimit të programit. Jo meme. Jo repost-e të tipit “mood”. Pikërisht për këtë arsye, fakti që riposton këtë video e bën postimin të duket edhe më pak spontan.
KOHA JONË SONDAZH


