Steven Seagal-it i ndalohet hyrja në Ukrainë, afërsia me Putin e ka futur në “listën e zezë”
Steven Seagal i është ndaluar hyrja në Ukrainë për pesë vjet dhe shkak bëhet afërsia që ka me Rusinë. Aktori amerikan vitin e kaluar mori pasaportë ruse, të cilën ia dorëzoi vet presidenti Vladimir Putin.
Me këtë që bëri ylli i filmave aksion tashmë ka hyrë në listën e zezë të shtetit ukrainas. Në njoftimin e Shërbimit Ukrainas të Sigurimit thuhet se Seagal ka bërë veprime që janë të rrezikshme për interesat e ruajtjes së sigurisë së Ukrainës. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje të sakta për veprimet e tij shkruan Daily Mail.
Sipas mediave aktori ka hyrë në listën e zezë, pasi në periudhën 2014-2015 e ka vizituar Krimenë në mënyrë të paligjshme. Seagal e ka lavdëruar Putinin duke e quajtur një prej liderëve më të mëdhenj në botë, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar presidenti rus i dhuroi nënshtetësinë dhe pasaportën, duke u shprehur se pret që një veprim i tillë të përmirësojë raportet mes SHBA-ve dhe Rusisë.