“Sunny Hill Foundation” pranon qindra aplikime për vizitën shkollore në Los Angeles
Pas hapjes së thirrjes për aplikim nga të rinjtë e talentuar në muzikë (të moshës 13 deri në 17 vjeç), Fondacioni Sunny Hill ka pranuar qindra aplikacione, derisa tre emrat e fituesve do të njoftohen sipas përzgjedhjes direkte të jurisë me bazë në Los Angeles.
Muajin e ardhshëm, tre të përzgjedhurit nga Kosova të cilët shkruajnë këngë origjinale, i performojnë si dhe i krijojnë ato, do ta kanë mundësinë të jenë në Los Angeles. Aplikimi është bërë online në faqen e Fondacionit Sunny Hill.
“Fondacioni Sunny Hill do të dërgojë tre performues dhe/apo producentë të rinj dhe të talentuar nga Kosova në Los Angeles – USA, për t’ua mundësuar këtyre talentëve të rinj që të kalojnë viziten shkollore për një muaj (4 javë) në një nga institucionet më prestigjioze të muzikës botërore, përkatësisht Institutin për Art dhe Inovacion (OCS Institute of Art and Innovation.) të Los Angeles-it”, thuhej në kumtesën e parë për media të lëshuar nga Fondacioni Sunny Hill, i themeluar nga artistja me famë botërore dhe fituesja e dyfishtë e çmimeve Grammy, Dua Lipa.
Fituesit do të përzgjidhen dhe trajnohen nga Alyssa Lein Smith nga Quincy Jones Productions, Ulla Sjöström nga Musikmakarna dhe Mary Kay Altizer nga OCS Institute of Art and Innovation.
Gjatë qëndrimit të tyre në LA përpos trajnimit shkollor, ata do të vizitojnë selinë e Quincy Jones Production dhe të marrin klasë të specializuara (masterclasses) për tu njohur për së afërmi me rrjedhën e industrisë botërore të muzikes, si dhe vizita të shumta interesante sikurse në Disney dhe Universal Studios në Los Angeles./telegrafi/