Tayna e pathyeshme, artistja më e dëgjuar në Spotify
Tayna është shpallur zyrtarisht artistja më e dëgjuar dhe më e paguar shqiptare në Spotify për muajin gusht. Me 3.8 milion dëgjues mujor dhe një rritje të jashtëzakonshme prej +300 mijë dëgjuesish brenda vetëm një muaji. Renditja e publikuar e vendos atë në krye, duke lënë pas emra të njohur si Noizy, Azet, Dhurata Dora, Butrint Imeri e shumë të tjerë.
Ajo ka kaluar kufijtë e tregut shqiptar dhe projektet e saj janë shpërndarë globalisht, duke e bërë një zë të fuqishëm të muzikës urbane në arenën ndërkombëtare. Publiku i saj nuk është më vetëm shqiptar, dëgjuesit e saj janë të shpërndarë në Zvicër, Gjermani, Austri, SHBA e deri në Amerikën Latine, duke dëshmuar se muzika e saj është universale dhe prek audienca nga kultura të ndryshme.
Nga Ibiza tek Tomorrowland, nga klubet elitare të Nju Jorkut e Londrës, hitet e saj janë shndërruar në himne që ndezin publikun dhe emri i saj përmendet gjithnjë e më shpesh krahas artistëve globalë. Por Tayna nuk është vetëm një artiste që publikon hite, ajo është kthyer në një simbol të fuqisë dhe guximit femëror.
Stili, energjia në skenë dhe identiteti i saj i fortë e kanë bërë një ikonë të gjeneratës së re. Ajo ka thyer tabutë, ka ngritur standarde dhe ka treguar se një artiste shqiptare mund të arrijë suksese botërore pa humbur autenticitetin.
KOHA JONË SONDAZH


