“The Oscars”, Jimmy Kimmel do të kursejë sarkazmën

Vitin e kaluar ceremonia e ndarjes së çmimeve të Akademisë së Filmit ofroi disa situata të çuditshme por edhe të sikletshme të orientuara politikisht kundër Donald Trump.

Këtë vit pritet që “The Oscars” të ketë një moderim më serioz për këtë arsye Jimmy Kimmel do të kursejë sarkazmën. Ai nuk do të flasë për problemet e vendit si shërbimi shëndetësor i fëmijëve që po rrënohet në SHBA, për sulmet terroriste e aq më pak për racizmin apo Donald Trump.

Eventi do të marrë një trajtë më dinjitoze dhe pjesët e humorit do të përqëndrohen tek aktorët dhe tek gafa e ngatërrimit të zarfit që ndodhi vitin e kaluar.

Producentët e Akademisë, Michael De Luca dhe Jennifer Todd kanë konfirmuar për “USA Today” se monologu i Kimmel do të përqëndrohet tek fushatat “Time’s Up” dhe “MeToo”, të krijuara në kuadër të skandaleve seksuale në Hollywood.

Për moderatorin nuk ka qenë e thjeshtë t’i përmbahej këtyre rregullave të reja por teksa do të lërë mënjanë thumbimin dhe ironitë, ai do t’i drejtohet çështjeve politike me seriozitet duke nxjerrë në pah problematikat në formë ndërgjegjësimi për amerikanët.

Ceremonia e ’90 e ndarjes së çmimeve do të mbahet mbrëmjen e së dielës në Dolby Theatre, Los Angeles, ku Jimmy Kimmel do të ketë nderin të moderojë për të dytin vit radhazi./top albania radio

SHKARKO APP