Veliaj: Emeli Sande, frymëzim për shumë të rinj (FOTO)
Emeli Sande, britanikja me famë botërore që ndezi Tiranën në Natën e Bardhë ka marrë dhe “Çelësin e qytetit” nga kryebashkiaku Veliaj ku i shprehu këtij të fundit edhe përshtypjet e saj për kryeqytetin shqiptar. Duke vlerësuar vizitën në vendin tonë dhe muzikën e saj, kryebashkiaku tha se Emeli Sande është kthyer në frymëzim për shumë të rinj dhe të reja, për t’ia dalë mbanë e për të ecur përpara.
“Ju e dini se dikur prindërit tanë mbanin kopje çelësash në shtëpi sepse prona private nuk lejohej dhe e vetmja gjë që njerëzit quanin pronë ishte shtëpia e tyre. Prandaj, duke bërë një kopje çelësash dhe duke ua dhënë ato miqve, ishte njësoj sikur prindërit thoshin: “Po japim gjithçka kemi”. Ndaj për ne, dhënia e çelësave të shtëpisë, është një moment shumë i rëndësishëm. Në emër të qyteti të Tiranës, unë ju jap “Çelësin e Qytetit”, si një kujtesë për t’u rikthyer sërish dhe gjithmonë do të gjeni një derë të hapur. E vlerësojmë shumë vizitën tuaj, e duam muzikën tuaj dhe mendoj që jeni një frymëzim për shumë të rinj të cilët thonë: Ajo ia doli, edhe unë mund t’ia dal”, theksoi Veliaj.
Këngëtarja britanike Emeli Sande, vlerësoi ftesën për të marrë pjesë në festimet e organizuara me rastin e “Natës së Bardhë”, në një qytet të bukur si Tirana. “Është një nder i madh të jem këtu si një performuese në një event të tillë. Vetëm në kaq pak kohë pashë që ishte shumë bukur dhe u ndjeva e mirëseardhur nga mikpritja”, tha ajo.
Me rastin e “Natës së Bardhë”, Emeli Sande, e cila është një nga këngëtaret më të mira të momentit dhe hitet e saj renditen në krye të klasifikimeve botërore, performoi disa prej hiteve të saj më të mira, duke elektrizuar publikun e shumtë të pranishëm në koncertin e zhvilluar mbrëmë në sheshin “Skënderbej”.