Zbulohet programi me beqarë i Luana Vjollcës në Top Channel
Kur u përfol se Luana Vjollca do të moderonte “Big Brother,” Anabel zbuloi se në të vërtetë, ajo do të rikthehet në ekran me një program ku në qendër janë çiftet. Progami që do të ndërtohet në bazë të lojërave dhe çifteve shqiptare të panjohura për publikun do të jetë një version i game show australian, “Taken Out.” Sipas formatit origjinal, i cili u zhvillua nga Freemantle në 2009-n, një burrë i vetëm vihet përballë 30 grave konkurrente që qëndrojnë në një podium të ndriçuar.
Loja ndahet në tre segmente. Duke gjykuar vetëm nga pamja e burrit dhe nga një rresht informacion për të, gratë duhet të vendosin në duan ta mbajnë ndezur dritën apo duan ta fikin. Nëse e fikin, pra shprehin mospëlqim, nuk mund ta ndezin më. Në fazën tjetër, tregohet një video e beqarit që flet për cilësitë, aftësitë dhe parimet e tij. Sërish, gratë zgjedhin ta mbajnë dritën ndezur apo ta fikin. Tregohet një video tjetër e një familjari a miku të beqarit që flet për të. Gratë vendosin sërish. Nëse në fund të këtij procesi kanë mbetur më shumë se katër drita ndezur, beqari fik një prej tyre. Më pas, tre grave të mbetyra u bën një pyetje. Fik dritën e njërës. Pastaj u bën një pyetje dy grave të mbetura dhe fik dritën e njërës duke mbetur kështu me një partnere. Nëse gjatë lojës fiken të gjitha dritat, beqari largohet pa një takim.
Në versionin britanik, beqari vjen në skenë me ashensor, takon vajzat, prezantohet dhe thotë nga është. Në vend të videos së dytë, beqari britanik performon një talent në skenë ose lejon dikë t’i nxjerrë një sekret. Gjithashtu, kur hyn në skenë, beqari përzgjedh një vajzë si “dashuri me shikim të parë,” por identiteti i saj mund ose mund të mos zbulohet në fund të puntatës. Versioni kinez i jep mundësinë grave konkurrente të ndezin një dritë edhe më të fortë, që i bën menjëherë finaliste për të fituar një takim me beqarin. /Anabel/