Zbulohet se çfarë fsheh pelerina verbuese e Melania Trump
Melania Trump mbërriti në Buckingham Palace për pritjen e mbajtur nga Mbretëresha para Samitit të NATO-s dhe është e paktë të themi që i mori gjithë vëmendjen të shoqit me pelerinën e verdhë Valentino. Qartazi, një zgjedhje dinake. Le ta zbërthejmë pak. Zonja e Parë ka gabuar me veshjet: vjet, teksa tregonte dekorimet e Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë, Melania mbante veshur një pallto të zezë (që s’ka lezet në sezon festash). Këtë vit, e përmirësoi situatën dhe zgjodhi të vishej me të bardha kokë e këmbë. Në të dyja rastet, pelerina nuk mungonte.
“Pelerina është një shpërqëndrim”,-shkruan Robin Givhan, gazetarja e modës për The Washington Post. ”Një shtirje e sikletshme e çuar në nivele qesharake. Në një video që supozohet të kremtojë ngrohtësinë dhe mikpritjen e festave të fundvitit, pëlhura e derdhur pas krahëve përcjell vetëm ftohtësi dhe distancë”.
Zonja e Parë është kritikuar shpesh për garderobën por tanimë s’i bën më përshtypje. Kur presidenti hoqi pallton për t’u fotografuar me Princ Charles dhe Camilla-n, Dukeshën e Cornwall në një ceremoni të mëvonshme, Melania nuk u zhvesh. Në mes të verdhës së fortë, krahët e saj të mbuluar në rozë të fortë vështirë të mos viheshin re. Fustani nga Herve Pierre kombinohej me këpucët Christian Loutoutin, në të njëjtën ngjyrë. Kjo veshje nuk synoi në asnjë moment të mos binte në sy. Për më tepër që e verdha, sidomos e verdha e kanarinës, bie në kontrast të fortë me dimrin britanik. Që nga nëntori, Mbretëria e Bashkuar mbathet në gri, të zezë dhe blu, një paletë të mjerueshme ngjyrash por edhe për shpirtin amerikan, kjo ngjyrë e zëshme nuk është shumë e përshtatshme.
Kjo s’është hera e parë që Melania ka veshur të verdha gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar. Vjet, ajo zgjodhi një fustan ngjyrë limoni nga J Mendel (me detaj pelerine sigurisht) për darkën në Blenheim Palace. Me dhjetëra njerëz e krahasuan me të Bukurën nga “E bukura dhe Bisha”, gjë që e bëri Trumpin. Sipas Dr. Aurore Bardey, lektore në London College of Fashion: “Pelerina e bën më elegante dhe më mbretërore”. Është shpjegimi më i thjeshtë. Gjithashtu, janë në trend. Balmain, Celine dhe Chanel kanë në koleksionet e vjeshtë/dimër një version pelerine. Nga ana tjetër, pelerinat janë uniforma e personazhit negativ, duke nisur nga filmat e Marvel, te Maleficent e Bukuroshes së Fjetur. Tjetërkund, në dyluftim me demat, pelerinat përdoren për të provokuar dhe tallur.
Burimi: The Guardian /Anabel/