Shkolla e Lazaratit mbyllet, fshati boshatiset dhe dështojnë planet për qendrën e bimëve medicinale

Godina që dikur gumëzhinte nga zërat e fëmijëve, sot qëndron e heshtur dhe e mbyllur.

Shkolla e fshatit Lazarat, e investuar në vitin 2019, u rikonstruktua me shpresën se do t’i shërbente brezave të rinj, por emigrimi masiv dhe largimi i të rinjve e lanë atë pa nxënës, duke e kthyer në një ambient bosh.

Më vonë, kjo godinë u përshtat dhe u inaugurua si qendër grumbullimi për bimët medicinale, e njohur si CAT (Canabis Alternative), një projekt me dimension social, i mbështetur nga qeveritë zvicerane dhe austriake. Qendra u prezantua si një alternativë ekonomike për Lazaratin dhe zonat përreth, në një realitet ku papunësia dhe mungesa e investimeve vijojnë të jenë plagë të hapura.

Swiss Digital Desktop Reklama

Megjithatë, pavarësisht inaugurimit dhe pritshmërive të krijuara, qendra nuk ka funksionuar asnjë ditë. Pajisjet, ambientet dhe investimi mbetën të pashfrytëzuara, ndërsa godina vazhdon të qëndrojë e mbyllur, ashtu si shkolla më parë. Banorët e Lazaratit shprehen se ndihen të keqardhur kur e shohin godinën në këtë gjendje.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas tyre, nuk është thjesht një ndërtesë e braktisur, por një simbol i shpresave të shuara dhe i projekteve që mbeten në letër.

Ata theksojnë se fshati ka nevojë për punësim real dhe mbështetje konkrete, jo vetëm për prerje shiritash.

Në një zonë që prej vitesh përpiqet të distancohet nga e shkuara dhe të ndërtojë një model të ri jetese përmes punës së ndershme dhe rikthimit te bimët medicinale, mbyllja e kësaj qendre përbën një tjetër zhgënjim për komunitetin.

Ndërsa emigrimi vazhdon dhe të rinjtë largohen, Lazarati rrezikon të mbetet jo vetëm pa shkollë dhe pa qendër pune, por edhe pa shpresë për të ardhmen, nëse projektet nuk shoqërohen me funksionim real dhe politika afatgjata zhvillimi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?