10 futbollistët e Kombëtares sonë që kanë pagat më të larta
Futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë po konfirmojnë gjithnjë e më shumë peshën e tyre në arenën ndërkombëtare, jo vetëm me paraqitjet në fushë, por edhe përmes kontratave të rëndësishme që kanë siguruar me klubet ku aktivizohen. Në krye qëndron Elseid Hysaj, i cili te Lazio është aktualisht shqiptari më i paguar. Mbrojtësi i krahut përfiton një pagë që varion mes 3.5 dhe 3.7 milionë euro në sezon.
Pas tij vjen Marash Kumbulla, i cili falë kontratës me Romën, edhe pse është aktivizuar me formulë huazimi, përfiton rreth 3.2–3.4 milionë euro në vit, një shifër që e mban mes emrave më të paguar të Kombëtares.
Një rritje të ndjeshme ka pasur Ernest Muçi, i cili paguhet 2.8–3 milionë euro në sezon në kampionatin turk. Më pas Armando Broja. Sulmuesi kuqezi përfiton afërsisht 2.34 milionë euro në sezon te Burnley. Në mesin e fushës spikat Kristjan Asllani, i cili te Torino përfiton rreth 1.8–2 milionë euro në sezon.
Listën e vazhdon Nedim Bajrami, mesfushori ofensiv i Sassuolos, që përfiton 1.6–1.8 milionë euro në sezon, dhe Gjimshiti me 1.7 milionë euro te Atalanta. Një tjetër emër i rëndësishëm është Mario Mitaj, i cili pas transferimit në Arabinë Saudite te Al-Ittihad ka siguruar një kontratë rreth 1.5 milionë euro në sezon, shumë e lartë duke marrë parasysh moshën e tij.
Nga La Liga Ivan Balliu, i cili me Rayo Vallecano përfiton mes 1.2 dhe 1.4 milionë euro në sezon, duke qenë një nga mbrojtësit më konstantë shqiptarë në Spanjë. Listën e mbyll Ardian Ismajli, qendërmbrojtësi i Empolit, me një pagë vjetore që shkon rreth 1.2 milionë euro.
KOHA JONË SONDAZH

