10 lojtarët më të vlefshëm në Kategorinë Superiore, Skënderbeu rritje rekord
Kategoria Superiore do të rifillojë më 27 janar, ndërkohë që tashmë skuadrat janë në përgatitjet e fundit për pjesën e dytë të sezonit. Kjo është një periudhë e mirë për t’u hedhur një sy statistikave, dhe në këtë rast atyre më të fundit që janë përditësuar nga faqja e njohur “transfermarkt”. Ajo që bie në sy sapo sheh të dhënat e fundit është rritja rekord që ka pësuar skuadra e Skënderbeut. Kryesuesit e sezonit 2017/18 kanë arritur vlerën 8.58 milionë euro sipas faqes së specializuar, që përbën edhe shifrën më të lart që është arritur ndonjëherë nga një klub shqiptar. Korçarët arritën që të merrnin pjesë në grupet e Europa League edhe në këtë sezon, dhe kjo duket se ka ndikuar në rritjen e madhe të vlerës së lojtarëve të tyre, ndërkohë që në të nuk është llogaritur as kartoni i Abazajt.
Në vendin e dytë renditet Kukësi me një vlerë 5.7 milionë euro, e rritur edhe nga blerjet e fundit në merkato, ndërkohë që menjëherë pas tyre renditet Vllaznia me një vlerë 5.6 milionë euro. Një vlerë e çuditshme kur se se skuadra shkodrane mban vetëm vendin e parafundit në renditjen e këtij sezoni. Ekipi me vlerën me të ulët është Lushnja, 2.85 milionë euro, teksa pak më lart tyre është Kamza që vlen afërsisht 4 milionë euro. Vlera në total e gjithë Kategorisë Superiore shkon në 51.28 milion euro. Mesatarisht një futbollist në elitën e futbollit shqiptar vlen 188 mijë euro në merkato.

10 më të shtrenjtët- Skënderbeu dominon në listën e futbollistëve më të shtrenjtë, teksa katër të parët i përkasin pikërisht klubit korçar. Lista kryesohet nga Enis Gavazaj, i cili me shkëlqimin në Europa League dhe kampionat ka arritur në vlerën 750 mijë euro. Pas tij është futbollisti më i mirë në vitin 2017, Sabjen Lilaj, i cili vlen vetëm 50 mijë euro më pak. Në listën e futbollistëve më të shtrenjtë nuk mund të mungonte as bomberi i Skënderbeut, Ali Soue, kartoni i të cilit ka arritur në 675 mijë euro, thuajse sa dyfishi kur ai u afrua nga skuadra e Kievos.
Pak më poshtë është mbrojtësi Jashanica, i cili vlen 650 mijë euro, teksa është përfolur shumë për një largim të mundshëm të tij në Rusi, por një transferim i tillë nuk arriti që të mbyllej me sukses. Në vendin e 5 renditet Jurgen Bardhi i Partizanit, me një vlerë 575 mijë euro, një shifër e kënaqshme duke marrë për bazë moshën e tij, vetëm 20 vjeç. Listën e 10 lojtarëve më të vlefshëm e mbyll talenti i Kukësit, Sindrit Guri, i cili është një ndër lojtarët më të spikatur këtë sezon. /Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

