13 gola në 7 ndeshje, Mbappe nuk njeh rival këtë sezon në Champions
Gara për titullin e golashënuesit më të mirë në Champions League 2025/26 ka një lider të padiskutueshëm: Kylian Mbappé. Ylli francez i Real Madridit, që shënoi edhe në humbjen e fundit ndaj Benficës, e mbyll fazën e kampionatit me shifra mbresëlënëse: 13 gola në 7 ndeshje, duke vendosur një rekord të ri në këtë fazë të turneut.
Mbappe është shkëputur dukshëm nga ndjekësit e tij. Harry Kane (Bayern Munich) renditet i dyti me 8 gola, ndërsa Erling Haaland (Manchester City) ka realizuar 7.
Francezi ka qenë vendimtar në disa ndeshje spektakolare të Realit. Ai shënoi një dopietë në fitoren e bujshme 6-1 ndaj Monacos, ndërsa më herët realizoi edhe katër gola në suksesin dramatik 4-3 kundër Olympiacos, ku përfshihej edhe tripleta e dytë më e shpejtë në historinë e Champions League.
Tre golat e parë të sezonit për Mbappe erdhën nga pika e bardhë: dy penallti vendimtare ndaj Olympique Marseille dhe një tjetër kundër Kairat Almaty. Nga ana tjetër, Harry Kane gjeti sërish rrjetën duke shënuar golin vendimtar në fitoren e Bayern-it ndaj PSV-së, duke i dhënë fund një serie prej tre ndeshjesh pa gol.
Në ndjekje vijnë edhe tre futbollistë të tjerë me 6 gola secili: Anthony Gordon (Newcastle), Gabriel Martinelli (Arsenal) dhe Victor Osimhen (Galatasaray), të cilët do të kenë mundësi të rrisin shifrat në fazën e 1/8-ve ose në “play-off”.
KOHA JONË SONDAZH

