2020 i “errët” edhe për sportin. 12 muaj mes kujtimeve, dhimbjes dhe tragjedisë

2020 mbetet një prej më të errëtëve në histori, jo vetëm për njerëzimin, por edhe për sportin. Ishte viti që ndali sportin, në shumë mënyra. Të dhimshme, pas humbjes së shumë emrave të mëdhenj, por edhe të guximshme, me protesta për barazinë racore. Mbyllja e paprecedentë shkaktoi shtyrjen e shumë eventeve të mëdha, nga Kampionati Europian te Lojërat Olimpike në Tokio. Ky ishte një vit që regjistroi ngjarje të paprecedente dhe të dhimbshme për të gjithë. 12 muaj për t’u hedhur sa më shpejt pas shpine. Me kujtimin dhe dhimbjen e tragjedive që ndodhën, për të vazhduar përpara me shpresë drejt së ardhmes.

Janar 2020

Viti 2020 nisi me lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të Kobe Bryant. Një aksident fatkeq me helikopter i mori jetën një prej më të mëdhenjve të të gjitha kohërave në basketboll. Lajmi tragjik i 26 janarit tronditi Shtetet e Bashkuara, por edhe të gjithë botën. Së bashku me Kobe, u shua edhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna dhe shtatë persona të tjerë, mes të cilëve edhe piloti.

Mars 2020

Të gjitha eventet sportive ndaluan, aktivitetet më të mëdha u detyruan të shtyhen në kohë. Me përkeqësimin e situatës, qëndrimet nisën të ndryshonin. Më 9 mars, Italia mbyll zyrtarisht sportin në vend. Më 11 mars, NBA pezullon sezonin. Më 13 mars, mbyllet Premier League. Përpos mbylljes së pjesës më të madhe të ligave kombëtare në 99% të globit, UEFA mori hapin e parë të madh. Edhe pse provuan deri në fund, duke bërë që Flaka Olimpike të niste rrugën drejt Japonisë, shumë shpejt edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe shteti aziatik u dorëzuan. Fillimisht, qeveria japoneze dhe më pas IOC, konfirmuan që për herë të parë në histori, Lojërat Olimpike do të shtyhen, për t’u zhvilluar në vitin 2021.

Prill 2020

Mes lajmeve tragjike nga pandemia, në prill, u njoftua ndarja nga jeta e një tjetër emri të madh të sportit. Pas betejës me një sëmundje të gjatë, u dorëzua britaniku Sir Stirling Moss, i cilësuar “piloti më i madh që nuk fitoi kurrë titullin botëror në Formula 1”.

Maj 2020

Më 16 maj, Bundesliga gjermane u bë kampionati i parë në Europë që u kthye në fushë pas izolimit. Dy muaj pas shpërthimit të pandemisë dhe në qetësinë e stadiumeve pa tifozë, Erling Haaland, i Borussia Dortmund, shënoi golin e parë pas 66 ditëve pezullim të aktivitetit në derbin e Ruhr, të fituar 4-0 kundër Schalkes.

Qershor 2020

Pak javë më pas, në fushë zbritën edhe Serie A e La Liga spanjolle. Ashtu si edhe Premier Liga angleze. Në këtë periudhë, ndjenjat e tronditjes nga virusi dhe entuziazmi për rifillimin e sezoneve sportive, ishte përzier me protestën “Black Lives Matter”. Pas vdekjes së George Flyod prej dhunës policore në Shtetet e Bashkuara, sportistët në turnetë më të rëndësishëm u solidarizuan. Më 26 qershor, pas 30 vjetëve pritje, Liverpool u kurorëzua kampion i Premier League. Një edicion fantastik i skuadrës së Jurgen Klopp dhe festa e shumëpritur nga tifozët, që me gjithë masat e distancimit social, dolën në rrugë dhe festuan.

Korrik 2020

Edhe Amerika tentoi të riniste normalitetin në sport. Pas ndeshjeve të para në futboll, bejzboll apo në basketboll, u regjistrua një bojkot masiv i ndeshjeve nga atletët në mbështetje të protestës “Black Lives Matter”. Një prej figurave më aktive të lëvizjes kundër racizmit ishte shtatë herë kampioni i botës, Lewis Hamilton, që para çdo gare ulej në gjunjë. Nëse fillimisht, pilotët u shfaqën të ndarë në këtë iniciativë, me kalimin e kohës beteja kundër racizmit u kthye në moton e Formula 1. Nuk e ndryshojmë dot të kaluarën, por skuadra u bë pjesë e ndryshimit për të ardhmen”, deklaroi atëherë kampioni britanik.

Gusht 2020

Bayern Munchen u kthye në majë të Europës, duke triumfuar në Champions League. Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick ishte absolutisht më e mira, duke e mbyllur sezonin me tri trofe madhore, përfshirë edhe Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë.

Shtator 2020

Prej pandemisë dhe ndërprerjes, merkato e verës u spostua, deri në shtator. Lëvizjet e mëdha nuk munguan. Gareth Bale u largua nga Reali i Madridit, për t’u kthyer te Tottenham, ndërsa Barcelona trajtoi si të panevojshëm Luis Suarez, i cili u transferua mes lotëve te Atletico Madrid. Largimi i Suarez solli reagimin e Lionel Messit. Edhe kapiteni i Barcelonës kërkoi largimin, por në një qytet ku argjentinasi është idhull, situata u shoqërua me dorëheqjen e presidentit të klubit, Josep Maria Bartomeu.

Tetor 2020

Los Angeles Lakers u kthyen te titulli kampion në NBA-in amerikan. Triumfi i 17-të në historinë e skuadrës, që dominoi finalen me Miami Heat.

Nëntor 2020

Drama e 2020-s vijoi me ndarjen nga jeta e Diego Armando Maradonës, një prej më të mëdhenjve që ka luajtur futboll, një frymëzim për breza të tërë. “Zoti u largua nga kjo botë, për t’u rikthyer në qiell. Nuk mendoja se në jetën time do të shoh dikë me aftësitë e Maradonës në futboll. Diego ishte i jashtëzakonshëm”, shprehej për Maradonën një tjetër i madh, Gary Lineker.

Dhjetor 2020

Ngjarjet e dhimbshme të një viti të mbrapshtë vazhduan me ndarjen nga jeta, më 9 dhjetor, të ikonës së Italisë kampione të botës në 1982-shin, Paolo Rossi. Heroi i eventit në Spanjë dhe goleadori i botërorit u shua në moshën 64-vjeçare.

SHKARKO APP