250 milionë euro dhe disa largime, Zhang ka gati planin për të shpëtuar Interin
Steven Zhang është kthyer në Milano para kohe, një sinjal domethënës se tek Interi kanë shumë dëshirë për të ndërtuar një të ardhme fituese. Presidenti i klubit zikaltër ka para një agjendë shumë impenjative me një seri të gjatë takimesh, me shumë çështje që presin të sistemohen. Tek Interi do të shkojnë rreth 250 milionë euro, që nuk do të peshojnë direkt në llogaritë e klubit zikaltër, por në ato të shoqërisë që kontrollon Interin.
Një frymëmarrje oksigjeni për ta mbyllur sezonin me qetësinë e duhur në këtë aspekt. Gjithsesi, për sa i përket merkatos nuk është se e imunizon Interin nga nevoja për të shituar ndonjë nga lojtarët zikaltër. Mbeten për t’u vlerësuar ofertat për De Vrij, i cili erdhi me parametër zero nga Lazio në vitin 2018, Skriniar e ndoshta dhe për Brozovic, që i skadon kontrata në qershor 2022.
Do të vlerësohet pozicioni i Ranocchias, ndërsa tani për tani nuk po flitet për Handanovicin, që ka ende një vit kontratë. Ndërkohë, për sa u përket rinovimeve, nuk ka asgjë të re në lidhje me Conten, Marotan dhe Ausilion, që të tre të lidhur me zikaltrit deri në 30 qershor 2022. Prania e Zhang do të shërbejë për më shumë qartësi edhe në këtë drejtim.