3 data për rifillimin e Seria A, sezoni mund të mbyllet në korrik
Ulja e numrit të infektuarve me koronavirus, ka rritur optimizmin edhe në botën e futbollit. Skuadrat e Serisë A po mendojnë për t’u rikthyer në fushë, por me një plan të saktë dhe pa rrezik.
“Gazzetta dello Sport” shpjegon se ka tri data, të rrethuara me të kuqe, kur skuadrat italiane mund të dalin përsëri në fushat e blerta: 24 maji, 31 maji dhe 7 qershori. Por më parë lojtarët duhet të stërvitën për një periudhë të caktuar, që të jenë gati fizikisht për përballimin e ngarkesës së garës.
Flitet se stërvitja mund të nisë më 4 maj. Nga këtu llogariten rreth 20 ditë stërvitje dhe pastaj rinisja e Serisë A, diku mes fundit të majit dhe fillimit të qershorit.
13 javët e mbetura të kampionatit italian pritet të përfundojnë deri në mes të korrikut. Megjithatë, ky plan flet për një rikuperim të arsyeshëm dhe pa rrezik, me masa paraprake si dhe me ndeshje pas dyerve të mbyllura.