3 ish-legjenda në garë për të marrë drejtimin e United
Manchester United është në kërkim të trajnerit pas largimit të Amorim. Ole Gunnar Solskjaer është sërish një nga emrat më të përfolur për stolin e Djajve. Ish-sulmuesi norvegjez, që drejtoi “Djajtë e Kuq” në periudhën 2018–2021, ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në “Old Trafford”, ndërsa drejtuesit e klubit po e shqyrtojnë seriozisht kandidaturën e tij.
Pas largimit të Ruben Amorim, i shkarkuar të hënën, Manchester United ndodhet në kërkim të një trajneri të ri. Sipas raportimeve të “Sky Sports UK”, Solskjaer bën pjesë në një listë të ngushtë kandidatësh me të cilët klubi ka zhvilluar tashmë takime në fazën fillestare të procesit të përzgjedhjes.

Në këtë kontekst përmendet edhe Michael Carrick, një tjetër emër i njohur për tifozët e United. Carrick mori drejtimin e ekipit në mënyrë të përkohshme pas largimit të Solskjaer dhe konsiderohet një profil që e njeh mirë ambientin dhe presionin e një klubi të këtij niveli.
Në radar ka hyrë edhe Ruud van Nistelrooy, një tjetër figurë ikonike e historisë së klubit. Holandezi drejtoi ekipin për katër ndeshje në periudhën tranzitore mes shkarkimit të Erik ten Hag dhe emërimit të Amorim, duke lënë një përshtypje pozitive. Deri në emërimin e trajnerit të ri, drejtimi i ekipit i është besuar përkohësisht Darren Fletcher-it, në pritje të një zgjidhjeje afatgjatë.

KOHA JONË SONDAZH

