3 lojtarë të Realit në listën e kandidatëve për Topin e Artë, por klubi madrilen hesht
France Football ka publikuar listën me 30 kandidatët për Topin e Artë, që do të dorëzohet më 22 shtator në Paris. Mes tyre janë tre lojtarë të Real Madrid: Vinicius Junior, Kylian Mbappé dhe Jude Bellingham. Por ndryshe nga vitet e kaluara, klubi madrilen nuk ka bërë asnjë reagim publik për t’i festuar këto nominime në kanalet e tij zyrtare.
Ky qëndrim ka habitur, sidomos duke kujtuar se në vitin 2024 Real Madrid i kushtonte hapësirë të gjerë çdo kandidature në faqen zyrtare, rrjete sociale dhe Real Madrid TV, jo vetëm për Topin e Artë, por edhe për çmimet Kopa dhe Yashin. Sezonin e kaluar ishin plot shtatë lojtarë madrilenë të nominuar (së bashku me trajnerin Carlo Ancelotti), me Vinicius që shihej si favorit kryesor.
Gjithçka ndryshoi pas ceremonisë së 2024-ës, kur pak orë para eventit klubi dhe vetë Vinicius mësuan se fituesi nuk do të ishte braziliani, por Rodri. Si reagim, Real Madrid vendosi të mos dërgonte asnjë përfaqësues në Paris, duke e quajtur vendimin një padrejtësi. Që nga ajo kohë, klubi ka deklaruar se “Topi i Artë nuk ekziston më” për ta dhe ka hequr nga programacioni edhe emisionet speciale për këtë trofe.
Edhe pse Vinicius fitoi më pas çmimin “The Best” të FIFA-s në Doha, mospajtimi me France Football mbetet i hapur. Tani, me ceremoninë e 2025-ës që afrohet dhe vetëm tre të nominuar, gjithçka tregon se madrilenët mund të mungojnë sërish në tapetin e kuq të Parisit. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

