3 prioritetet e Igli Tares te Milani: Trajneri, rinovimet dhe … Reijnders
Igli Tare pritet të zyrtarizohet sot si drejtori i ri sportiv i Milanit. Sipas asaj që raporton sot Corriere della Sera, ish-drejtuesi i Lazios është tashmë i angazhuar në tri fronte strategjike për klubin kuqezi: emërimi i trajnerit të ri, rinovimet e lojtarëve kryesor dhe mbajtja e Tijjani Reijnders.
REIJNDERS NUK PREKET
Pika më e nxehtë lidhet me mesfushorin holandez, për të cilin pritet një ofertë prej 50 milionë euro nga Manchester City. Drejtuesit e Milanit, me në krye CEO-n Giorgio Furlani, kanë deklaruar publikisht se nuk ka nevojë për shitjen e një lojtari të madh, por tashmë mbetet për t’u parë nëse do t’i qëndrojnë kësaj linje edhe përballë tundimit financiar. Reijnders konsiderohet një nga të paktët elementë pozitivë të një sezoni të dështuar, dhe nisja e një cikli të ri me largimin e tij do të dërgonte një sinjal të gabuar.
ÇËSHTJA E RINOVIMEVE
Tare po punon gjithashtu për të zgjidhur çështjen e rinovimeve. Theo Hernandez dhe Mike Maignan, të dy me kontrata deri në vitin 2026, janë në qendër të vëmendjes. Klubi dëshiron të sigurojë qëndrimin e tyre dhe të parandalojë një tjetër eksod të rëndësishëm. Në listën e rinovimeve është edhe Christian Pulisic, autor i një sezoni pozitiv që ka fituar besimin e klubit.
TRAJNERI I RI
Megjithatë, çështja më delikate dhe urgjente mbetet ajo e trajnerit të ri, i cili do të zëvendësojë Sergio Conceiçãon. Vincenzo Italiano ishte kandidati kryesor, por tashmë duket se do të qëndrojë në krye të Bolognës. Klubi kuqezi synon kësaj here një trajner me përvojë dhe jo më një “bast”, por emrat e mëdhenj si Antonio Conte dhe Massimiliano Allegri janë pranë marrëveshjeve me Juventusin dhe Napolin. Më në prapavijë është kandidatura e Thiago Mottës, ndërsa po fiton terren opsioni Roberto Mancini. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

