4 super ndeshje për 11 ditë, ndaj Milanit nis kalendari i ferrit për Interin
Interi këtë fundjavë do të sfidojë Milanin, ndërkohë që më pas e pret një kalendar i ngjeshur me ndeshje të vështira. Të besuarit e Inzaghi-t paraqiten në derbi me 4 pikë distancë nga rivalët, por edhe me ndeshjen kundër Bologna-s për të rikuperuar.
Me 14 ndeshje pa pësuar humbje në kampionat, suksesi në “San Siro” këtë të shtunë, mund të jetë një hap i rëndësishëm për t’u afruar me titullin kampion. Dzeko, i cili qëndroi pushim gjatë këtyre javëve, duket gati të luajë titullar, përkrah Lautaro Martinez, që ashtu si Alexis Sanchez janë në dispozicion të skuadrës pas angazhimeve në kualifikueset e Amerikës Jugore.
Pas derbit, zikaltërit i pret turi i forcës në shtëpi ndaj Romës në Kupë, transferta me Napolin në kampionat dhe dueli si pritës me Liverpool në Champions. Ndeshje që mund të përcaktojnë se si do të jetë sezoni për zikaltërit.
KOHA JONË SONDAZH

