4019 ditët e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, mes jetës dhe vdekjes

Drama lidhur me legjendën e Formula 1, Michael Schumacher (55) po zgjat tashmë 11 vjet. Shumë spekulime, pak fakte. Edhe plot 4019 ditë pas aksidentit gjatë skijimit, ende po përplasemi me një mur heshtjeje, shkruan gazeta e madhe zvicerane “Blick” të dielën.

Disa thonë se kjo është gjë e mirë. Por mbi 75 për qind të fansave të tij do të donin të dinin se si është kampioni i shtatëfishtë i Formula 1, i cili u përplas në një guri në Meribel të Francës.

Në politikë, muzikë dhe në industrinë e filmit, shëndeti i një figure me famë botërore asnjëherë nuk mund të mbahet fshehtë për 11 vjet.

Për Schumacherin thuajse nuk dihet asgjë. Mediat angleze kanë shkruar se kujdesi ditor për Michaelin, ku përfshihet ushqimi artificial, mjekët, ekipet e kujdesit dhe stafi i sigurisë, janë rreth 7000 euro. Dhe kjo po zgjat për 4019 ditë.

Gjatë aksidentit thuhet se një gjilpërë në kamerën e helmetës së Schmacherit kishte shpuar majën e kafkës.

Situata është e pakëndshme për menaxheren shumëvjeçare të yllit të Formula 1, Sabine Kehm.

“Problemi i madh i familjes është për të caktuar vijën mes besimit dhe mosbesimit”.

Ish-menaxheri i Schumit, Willi Weber, nuk lejohet ta shoh atë.

Pra është çështje besimi. Edhe personi që e bëri Schumacherin milioner nuk lejohet të vizitojë atë.

“Kjo më ka lënduar për shumë vjet. Me gjasë do të më duhet të largohem nga kjo botë pa realizuar ëndrrën time më të madhe”.

Në anën tjetër, familja nuk do ta kishte problem nëse ish-drejtuesi i Formula 1, Bernie Ecclestone (94) e viziton gjermanin. Por ai ka refuzuar.

“Dua ta mbaj mend Michaelin në mënyrën se si jemi takuar në herën e fundit dhe kemi pirë birrë së bashku”.

Mysafiri i rregullt, Jean Todt (78), nuk është i qasshëm për shumë vjet. Ish-udhëheqësi i Ferrarit, një kohë u dha shpresë tifozëve.

“Mendoj se do ta shohim sërish Michaelin”.

Ishte momenti i fundit kur diçka shpresëdhënëse u dha nga Gjeneva.

Familja nuk ka pasur qetësi për 11 vjet. Pak para Krishtlindjes, gruaja, Corinna (55), u paraqit në një gjykatë në Wuppertal me akuzat për tentim të shantazhit nga tre ish-punëtorë. Familjes i ishte kërkuar të paguantë 15 milionë euro për foto private, video dhe dosje për Michaelin. Përndryshe ata kërcënuan se do t’i publikojnë në internet.

Një revistë apo gazetë sigurisht se nuk do ta blente materialin. Kjo do të sjellte një padi të re me pretendime të larta për dëmshpërblim, siç ka ndodhur shpesh vitet e fundit. Pra rrethi i njerëzve që e dinë gjendjen e Schumacherit mbetet shumë i vogël.

Në Formula 1, pyetjet për gjendjen e Schumacherit pothuajse nuk dëgjohen më.

SHKARKO APP