5 arsye përse Kosova ka kombëtare më të mirë se Shqipëria

Kosova dje në mbrëmje mori një fitore spektakolare në eliminatoret për “Euro 2020’, duke triumfuar 3-2 ndaj Bullgarisë. “Dardanët” po kalojnë një ecuri fantastike, teksa nuk njohin humbje prej 14 ndeshjesh nën drejtimin e trajnerit Bernard Challandes. Por a është Kosova më e mirë se kombëtarja shqiptare? Në fakt nuk do shumë investigim për të gjetur 5 arsye shumë bindëse, për t’ju bërë që të besoni se realisht Kosova është më lart se ne.

 

Mosha e re – Kosova është kombëtarja me moshën mesatare më të re në Europë.  Duke u bazuar në të dhënat e “Transfermarkt”, “Dardanët” kanë moshën mesatare vetëm 24.6 vjeç. Strategu zviceran ka në dispozicion shumë talente që luajnë në skuadrat më të mira europiane, madje duke qenë protagonistë me gola javë pas jave.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Futboll i bukur – Nëse luan një futboll të bukur, është e sigurt se do të bësh tifozë në të gjithë botën. Përfaqësuesja e Kosovës ende nuk njihet nga shumë shtete të mëdha, por kjo nuk është një arsye që ata të dorëzohen. Të frymëzuar nga loja e bukur e Guardiolës, me plotë stil dhe thjeshtësi, djemtë kosovarë kanë treguar vlerat e tyre në çdo ndeshje me veprime të bukura. Ju kujtohet miqësorja ndaj Shqipërisë? Zhegrova u kritikua shumë për një veprim anti-sportiv ndaj kombëtares sonë, por në fakt veprimi i tij është një tregues për kapacitetin e tyre teknik.

Trajner ekspert – Bernard Challandes është padyshim arkitekti i kombëtares së Kosovës, teksa dora e tij duket ndjeshëm ndeshje pas ndeshje. “Dardanët” nuk janë shumë solidë në mbrojtje, por ky është një aspekt për të cilin, ai e ka pranuar se ka ende punë për të bërë. 67-vjeçari ka meritën e madhe që u jep liri shumë talenteve që ka në dispozicion veçanërisht në fazën e avancuar, ku Rashica, Zeneli dhe Zhegrova janë më të spikaturit, por nuk duhet harruar puna fantastike e Muriqit. Një tjetër aftësi për t’u vlerësuar e trajnerit është leximi i mirë që i bën ndeshjes. Aktivizimi i Elbasan Rashitit ishte karta fituese në ndeshjen ndaj Bullgarisë.

Grup i bashkuar, shumë nacionalistë – Një popull i ri, vital dhe shumë entuziastë. Kosova është me fat që ka një kombëtare ku futbollistët japin shpirtin në fushën e lojës, edhe pse një pjesë e mirë e tyre janë protagonistë edhe në ekipet e tyre. Sezoni i gjatë nuk i pengoi që të jepnin zemrën në fushë ndaj Bullgarisë, diçka që u konfirmua pas ndeshjes edhe nga Rashica. Për Muriqin është e tepërt që të shkruash, pasi vlerat e tij janë të dukshme në çdo veprim. Një luftarak i vërtetë, por dhe një goleador.

Futbollistë me b*** – Shprehja e famshme e Simeones pas fitores ndaj Juventusit këtë sezon në Champions, vijon të përdoret nga kolegët e tij. Challandes në deklaratën pas triumfit ndaj Bullgarisë tha të njëjtën gjë për futbollistët e tij, duke konfirmuar disponibilitetin dhe shpirtin luftarak që ata treguan gjatë gjithë ndeshjes. Diçka që ndoshta mungon në kombëtaren tonë, ku shumë lojtarë të njohur humbasin shkëlqimin kur veshin fanellën kuqezi. /Analizë nga Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?