VIDEO/5 gabimet e Rejës që sollën humbjen e turpshme ndaj Lituanisë

Analize/ 5 gabimet e Rejës që sollën humbjen e turpshme ndaj Lituanisë

Nga Rozalb Lika

Shqipëria të hënën në mbrëmje pësoi një humbje shokuese 0-1 në “Air Albania Stadium” kundër Lituanisë. Kuqezinjtë ende nuk kanë mundur që të gjejnë rrugën e rrjetës në impiantin e ri. Ishte një lojë shumë e dobët e kuqezinjve tanë që nuk e morën shumë seriozisht ndeshjen, duke bërë që në fund të dilnin me kokën ulur në dhomat e zhveshjes. Një ndër fajtorët e kësaj disfate është konsideruar edhe trajneri Edoardo Reja, i cili përsëriti disa gabime të vjetra të trajnerëve që kanë drejtuar Kombëtaren tonë.

Nënvlerësimi – “Nuk mund të them se kemi eufori, pasi kemi nisur menjëherë të përgatisim ndeshjen e radhës. Nuk duhet të bëjmë asnjë gabim”, deklaroi në konferencën para ndeshjes trajneri italian, por në fushën e lojës futbollistët treguan të kundërtën. Që nga minuta e parë, lojtarët kuqezi ishin shumë të paqartë në ndërtimin e aksioneve, duke rënë pre e presionit të vazhdueshëm të kundërshtarëve në gjysmëfushë. Shumë pasime të gabuara, asnjë ide për sulmin dhe një mbrojtje e pavendosur mirë në momentin e pësimit të golit.

Skema – Trajneri italian nuk ka ndërmend që të ndryshojë skemën pavarësisht humbjes. 3-5-2 është skema e tij e preferuar, edhe pse në fakt në ekipin tonë Kombëtar mungojnë futbollistët për ta zbatuar në mënyrën më të mirë këtë vendosje. Hysaj dhe Trashi kanë treguar jo pak vështirësi në aksionet sulmuese, duke mos dhënë asnjë krosim të saktë për shokët e sulmit. “Sa i përket rreshtimit, shumë skuadra në botë po luajnë me tre në mbrojtje, ndaj nuk është një shpikje e jona dhe nuk është problem skeme”, u justifikua Reja pas humbjes ndaj Lituanisë.

Eksperimentet – Edhe pse strategu italian është shprehur se nuk do të kishte shumë eksperimente, shpesh herë ndodhin ndryshime nga ndeshje në ndeshje. Qazim Laçi dhe Armando Sadiku ishin dy nga më të dobëtit në fushën e lojës, por të dy e mbyllën ndeshjen deri në fund. Dy zgjedhje të gabuara, duke marrë në konsideratë faktin që Laçi nuk ka ende eksperiencën e duhur për të përballuar sfida të tilla, ndërkohë që Sadiku ishte krejtësisht jashtë formës së tij më të mirë shkak të qëndrimit jashtë fushave.

Përgatitja fizike – Një ndër problematikat më të mëdha të grumbullimit të fundit të Rejës ishte padyshim forma fizike e futbollistëve. Sinjalet e para u dhanë në pjesën e dytë kundër Bjellorusisë, por u konfirmuan edhe ndaj një ekipi shumë modest si Bjellorusia. Shumë specialistë pas ndeshjes u shprehën se Lituania përballë Shqipërisë dukej si Franca, me aq shumë dominim në mbajtjen e topit apo shpejtësinë e kundërsulmeve. Duke parë ndeshjen ndoshta më mirë do të ishte të aktivizoheshin futbollistë si Broja apo Roshi nga minuta e parë, pasi loja e kuqezinjve ndryshoi shumë me futjen e tyre në fushë.

Mungesa e një plani B – Çdo trajner ka një plan të dytë nëse dështon ai i pari, por Reja deri më tani ka treguar se një gjë e tillë i mungon. Pas një pjese të parë shumë të dobët, në fillimin e pjesës së dytë nuk ndodhi asnjë ndryshim as në skemë dhe as në futbollistë. Italiani kishte të gjithë kohën e duhur për të reaguar në fraksionin e dytë, ndaj një kundërshtari shumë të lehtë në letër si Lituania, që nuk fitonte prej dy vitesh.

SHKARKO APP