7 rekordet e Evropianit në fazën e grupeve, pjesë edhe Shqipëria
Pas një maratone me super sfida, faza e grupeve e EURO 2024 u mbyll, duke mësuar emrat e 16 skuadrave që mbeten në garë për fitoren e trofeut. Ky edicion ka treguar se skuadrat e vogla nuk kanë komplekse ndaj emrave të mëdhenj dhe me futbollin e treguar në fushë kanë qenë superior ndaj tyre.
Faza e grupeve të Evropianit vendosi edhe shumë rekorde ku pjesë është edhe Shqipëria. Gjithsesi ndër më interesantët është ai i Lamine Yamal, i cili në ndeshjen e fituar 3-0 nga Spanja u bë lojtari më i ri që luan në një kampionat Evropian, me moshën 16 vjeç e 338 ditë.
Trajneri i Gjermanisë Julian Nagelsman vendosi rekord në ndeshjen hapëse kundër Skocisë të fituar 5-1, duke u bërë tekniku më i ri në një kampionat Evropian në moshën 36-vjeç. Sakaq Dominik Szoboszlai u bë kapiteni më i ri në një kampionat Evropian, teksa mbrojti ngjyrat e Hungarisë në moshën 23 vjeç dhe 243 ditë.
Goli kundër Italisë e bëri Modric futbollistin më të vjetër i cili shënon në një kampionat Evropian, në moshën 38-vjeç dhe 289 ditë. Mbrojtësi i Portugalisë Pepe vendosi rekord si futbollisti më i vjetër në një kampionat Evropian, duke luajtur në moshën 41-vjeç e 117 ditë, ndërsa Ronaldo u bë lojtari i vetëm që luan në 6 Evropianë të ndryshëm.
Rekordi i fundit është i Nedim Bajramit, futbollistit të kombëtares shqiptare, i cili kundër Italisë në sekondën e 23 realizoi golin më të shpejtë në një kampionat Evropian.