8 gola në Kopenhagen, Spanja fitore dramatike pas 120 minutash ndaj Kroacisë, 5-3

Spanja siguron mes drithërimash një vend për në çerekfinalet “Euro 2020”, duke marrë një fitore dramatike 5-3 ndaj Kroacisë pas 120 minutash. Në Kopenhagen ishte atmosferë fantastike, kryesisht nga tifozët kroatë, por që solli lumë golash dhe spektakël veçanërisht në pjesën e dytë. Skuadra e Luis Enriques dominoi totalisht në minutat e para, por pa krijuar raste të pastra. Sinjalet e para i dha Sarabia me një goditje të fortë me të majtën, por përfundoi në rrjetën e jashtme. Kur dukej se loja ishte nën kontrollonin e iberikëve, Pedri kthen një top pas atje ku portieri Unai Simon i përgjumur nuk arrin që ta kontrollojë duke bërë që topi të shkoi në portë.

Numër rekord autogolash, më shumë se 5 edicionet e fundit të marra së bashku. Gabimi i rëndë i “gardianit” i dha zemër ekipit të Dalic që shtoi aksionet sulmuese, me Nikola Vlasic që nuk shfrytëzoi si duhet gabimet në mbrojtje të spanjollëve. Reagimi nuk do të vononte nga “Furija Roja”, teksa në minutën e 38-të, Pablo Sarabia konkretizoi një aksion të gjatë pas një rrëmuje në zonën e ekipit ballkanas.

Pjesa e dytë nisi me një zëvendësim nga Dalic, i cili aktivizoi Kramaric në vend të Petkovic. Spanjë luan më bukur dhe në minutën e 57-të, do të merrte avantazhin për herë të parë në këtë sfidë. Ferran Torres jep një pasim magjik nga krahu i majtë, teksa në zonë do të ishte Azpilicueta që bën sulmuesin me një goditje me kokë, që do të përfundonte në kuadratin e portës.

Kroacia nis të zgjohet pas disa minutash duke krijuar një shans shumë të mirë shënimi me Gvardiol, i cili ndalet nga një pritje fantastike e Unai Simon. Minutat më të mira për kroatët do të sfumoheshin nga një gabim në vendosjen e ekipit në minutën e 77-të. Ferran Torres përfiton më së miri duke shmangur një mbrojtjes dhe më pas shënoi në portën e mbrojtur nga Livakovic.

Ndeshja do të bëhej më e bukur në minutat e fundit, pasi Kroacia realizoi një tjetër gol me Orsic, pas një rrëmuje brenda zonës. Ky gol i dha zemër ekipit të Dalic, që arriti të rikthente baraspeshën në kohën shtesë, me Mario Pasalic që ja shpërblen më së miri besimin për aktivimin në minutat e fundit. Pra 90 minutat 3-3.

Sfida shkoi në shtesë, atje ku ritmi ishte shumë i lartë veçanërisht në minutat e para. Kramaric dhe Olmo krijuan dy mundësi shumë të mira në portat respektive. Golat nuk do të vononin, por do të ishin të dy nga iberikët. minutën e 100-të, bomberi i Juventusit kontrollon mjaft mirë topin në zonë dhe më pas me një të majtë të fuqishme e dërgon në kuadratin e portës.  Tri minuta më pas, Oyarzabal merr një top brenda zonës dhe më pas nuk e ka të vështirë që të shënojë sërish. Shtesa e dytë nuk solli asnjë ndryshim të rezultatit, teksa këtë herë Spanja administroi më mirë rezultatin. Pra Spanja fiton 5 me 3. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP