96 vjet rreth planetit të futbollit: Botërori i parë në Uruguai (1930)
Nga Skifter Këlliçi
Duke filluar nga ky numër, do të botojmë ciklin “96 vjet rreth planetit të futbollit”, kushtuar historisë së botërorëve të këtij sporti më të dashur në botë (1930–2018), përgatitur nga shkrimtari, komentatori dhe historiani i futbollit, Skifter Këlliçi.
Ai ka nisur të shkruajë për botërorët e futbollit që në pranverë të vitit 1958, ende student njëzetëvjeçar, që po përfundonte studimet në Fakultetin Histori-Filologji të UT. Atëherë, në Suedi zhvillohej Botërori i 6-të, ku për herë të parë triumfonte Brazili i Pelesë, Garrinçës, Didit, Zagallos… U është kthyer këtyre botërorëve më 1970 përsëri në faqet e “Zërit të Rinisë”, kur sërish Peleja me shokë bënte “bis” në botërorin meksikan, më 1970.
Katër vjet më pas, më 1974, ka komentuar për herë të parë në historinë e TV-së botërorin e futbollit që u mbyll në Mynih me triumfin e Gjermanisë Perëndimore, po ashtu si Brazili për herë të dytë, kampion botëror.
Më 1980 ka botuar librin “Historia e Futbollit”, ose më mirë, historia e kampionateve botërore të futbollit, deri më 1978, kur Argjentina bëhej për herë të parë mbretëreshë e rruzullit tokësor. Më 1987, në librin “Nga 2-3-5, në 4-4-2 (vështrim historik mbi evoluimin e sistemeve taktike të futbollit tonë)”, në një kapitull të tërë është ndalur edhe në evolucionin e këtyre sistemeve në futbollin botëror. Së fundi, më 1998, botoi librin “Yjet e futbollit botëror”, ose një rrëfim mbi futbollistët më të mirë deri në botërorin e futbollit që zhvillohej atë vit në Francë, i cili u mbyll në Paris me hegjemoninë absolute të tringjyrëshëve të Zidanit dhe shokëve të tij.
Dhe ja, tani, para Botërorit 2026, që fillon në verën e këtij viti, ai i kthehet historisë së këtyre botërorëve.
“Por nuk dua të përsëris vetveten,” thotë ai. “Ndaj zgjodha një rrugë që më duket origjinale dhe tërheqëse për lexuesit: të shkruaj për botërorët e futbollit, duke u bazuar në kujtimet e Nando Martelinit, komentatorit të madh italian, që ka komentuar tetë kampionate botërore nga viti 1954 deri më 1982, të Anton Mazrekut, babait të gazetarisë sportive të penës dhe mikrofonit, dhe në përjetime të mia nga disa prej këtyre botërorëve. Do të hedh në letër edhe ngjarje të tjera që lidhen me komentimet e mia në TVSH të këtyre botërorëve.”
Pra, ai nuk do të bëjë me lexuesit një udhëtim si Fileas Fogu i romanit “80 ditë rreth botës”, të shkrimtarit të famshëm Xhul Verni, por një udhëtim tjetër: “96 vjet rreth planetit të futbollit (1930–2026)”, duke u ndalur në disa nga veçoritë më kurioze të tij.
Kur Martelini ishte vetëm 9 vjeç, Uruguai kurorëzohej kampion i parë i rruzullit tokësor (Uruguai, 1930).

Me Nando Martelinin (1920–2004), u takova në ditët e para të shkurtit të vitit 1994 në Romë, ku ai jetonte. Kisha shkuar atje për dy javë për të hulumtuar dokumente që do të më duheshin për të shkruar librin “Historia e Radiotelevizionit Shqiptar (1938–1990)”. Qysh në ditët e para të qëndrimit tim në kryeqytetin e lashtë italian, i telefonova njërit prej komentatorëve më në zë të RAI-t të të gjitha kohërave. E njoha menjëherë zërin e tij dhe, kur më pyeti se kush isha, iu përgjigja: “Martellini albanese”. Atëherë, qeshi me të madhe dhe pranoi me shumë kënaqësi të takoheshim para ngrehinës së “Dimensione Suono”, radio private shumë popullore në Romë dhe në Italinë e mesme. Aty, në një studio të saj, bëra një intervistë me të për Radio Tiranën.
Pastaj, nën shoqërinë e një shishe vere “Kallmet” që i dhurova, vazhduam bisedën. Por këtë radhë, jo për veprimtarinë e tij të gjatë dhe interesante në mikrofon dhe kamera, por për botërorët e futbollit. Shkas u bë një revistë javore italiane që kishte filluar të botonte faqe nga historia e botërorëve të futbollit, me rastin e botërorit që do të zhvillohej pas disa muajsh në SHBA.
E shfletova atë revistë dhe u ndala te kampionati i parë, zhvilluar më 1930 në Uruguai. E dija që Martelini kishte lindur më 1921 dhe vështirë të kishte kujtime për botërorin uruguajan.
“Eshtë e vërtetë,” m’u përgjigj. “Atëherë, si çdo fëmijë, kisha nisur të luaja edhe unë futboll dhe kisha dëgjuar se ç’ishte ky kampionat. Por skuadra axurra nuk shkoi në Uruguai. Po kështu edhe shumë vende të tjera të Evropës, duke filluar nga Anglia, Austria, Spanja, Gjermania, e nënvleftësuan, sepse rruga ishte e gjatë dhe udhëtimi bëhej me anije, dhe bota ende nuk kishte dalë nga kriza e madhe pas Luftës së Parë Botërore.”
- Anglezët dhe skocezët thanë shkurt: “Ne kemi shpikur futbollin që luhet me kaq pasion në tërë kontinentet e botës, pra jemi ligjërisht kampionë të rruzullit tokësor!”
- Italianët gjykuan ndryshe. Sapo kishin fituar Kupën Ndërkombëtare, ku merrnin pjesë skuadra të Evropës Qendrore, duke shpartalluar 5–0 Hungarinë, brenda në Budapest. Ishin në ekstazë…

Edhe francezët ngurronin. Por i tundi Zhyl Rimeja (1873–1956), presidenti i FIFA-s, ai që kishte dhënë idenë e zhvillimit të një veprimtarie të tillë, e cila do të bëhej kaq popullore në botë dhe që ishte përligjur në kongresin e saj të zhvilluar në Barcelonë më 1929. Pas vdekjes, për nder të tij, u quajt Kupa Zhyl Rime.
Belgët, fqinjët e francezëve, morën pjesë në botërorin e parë vetëm pasi i vuri përpara bashkatdhetari i tyre, Rudolf Seendraiers, i cili ishte zëvendës i Rimesë.
Gratë nuk thonë kot që shtien djallin në shishe. Bukuroshja Magda Lupesku, e dashura që do të bëhej gruaja e mbretit Karli II të Rumanisë, ia mbushi mendjen top që skuadra rumune të nisej për në aventurën e largët uruguajane.
Mbretëria e Jugosllavisë, përfaqësuar nga skuadrat BSK dhe SK Jugosllavija, dërgoi vetëm serbë, pasi kroatët nuk donin të luanin bashkë me sërbët.
Ndërsa Martelini vazhdonte, mendova me vete: “Mos ndodhi e njëjta gjë me një mbret tjetër ballkanik, pra me Zogun dhe kështu Shqipëria refuzoi të shkonte në Uruguai? Jo. Shqipëria kishte halle të tjera. Megjithatë, më 1930 organizonte kampionatin e parë të futbollit, dhe më 1932 bëhej anëtare e FIFA-s.”
Çuditërisht, me të njëjtën anije italiane “Conte Verde”, udhëtuan tri ekipe: Franca, Rumania dhe Belgjika, bashkë me presidentin Zhyl Rime dhe Kupën e Botës, të mbiquajtur Kupa e Perëndeshës së Fitores, Nike.
Jugosllavët udhëtuan nga Marselja me anijen “Florida”. Brazilianët nga Rio de Zhaneiro në Montevideo.
Uruguai, me një popullsi që mezi kapërcente dy milionë banorë, ishte tashmë “Meka e futbollit botëror”.
Gjysmëfinalet:
- Argjentina–SHBA 6–1
- Uruguai–Jugosllavi 6–1
Finale:
- Uruguai–Argjentinë 4–2
Emrat e kampionëve të parë të botës: Balestro, Andrade, Fernandes, Pestido, Nazaci, Maskeroni, Dorado, Skaron, Kastro, Sea, Iriarte.
Nënkampionët: Botaso, Dela, Tore, Paternoster, Evaristo, Monti, Juarez, Peusele, Varallo, Stabile, Ferreira, M. Evaristo.
Golshënuesi më i mirë: Stabile (Argjentinë), 8 gola.
Nga galeria e yjeve: Stabile (Argjentinë), Nazazi (Uruguai), Maskeroni (Uruguai), Monti (Argjentinë), Skarone (Uruguai).
Numri i ndeshjeve: 18
Gola: 70 (3.89 për ndeshje)
Shikues: 590.549 (32.808 për ndeshje).

KOHA JONË SONDAZH
Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?
Results
Vota totale: 5707

