“A jeni në terezi, çfarë Messi? Maradona më i madhi, ishte Zoti i futbollit”
Diego Maradona apo Leo Messi? Të dy janë legjenda të futbollit dhe debati se kush është më i miri mes tyre nuk do të përfundojë kurrë. Antonio Cassano nuk ka dilema, është prej kohësh një ndër tifozët më të zjarrtë të “pleshtit” dhe shpjegon se pse kapiteni i Barcelonës është më lart.
“Leo ka shënuar 70 gola me Argjentinën, ndërsa Maradona jo më shumë se 30 (34 gola), kështu që nuk diskutohet se kush është më i madhi“, thekson barezi i famshëm. Komenti i tij nuk është pritur aspak mirë nga besnikët e Maradonës.
“Çfarë po flet Cassano?“, shkruan në Facebook Alessandro Renica, ish-shok skuadre me Maradonën te Napoli. Ish-mbrojtësi vazhdon edhe më tej, duke shpjeguar se pse El Pibe de Oro qëndron sipër të gjithëve, duke përfshirë këtu edhe Pele.
“E para: golat e Diegos janë unikë dhe të papërsëritshëm. Njerëzit edhe sot pyesin se si ia ka dalë t’i realizojë ato magji. Gola si ai kundër Juventusit nga goditja e këndit, ai ndaj Anglisë në Botëror apo ai ndaj Milanit kundër Baresit dhe Maldinit, janë perla që i realizon vetëm një gjeni.
Diego fitoi një Botëror si protagonist me Argjentinën, ishte vendimtar në çdo ndeshje. Më pas zgjodhi Napolin dhe fitoi aty ku nuk kishte fituar askush më parë. Të fitosh me Napolin nuk është si ta bësh te Barcelona. Messi ia ka dalë edhe falë kampionëve si Xavi, Iniesta dhe Puyol.
Barcelona ka fituar edhe pa Messin. Sa i përket golave, Pele ka shënuar më shumë me kombëtaren e tij, ka fituar 3 Botërorë, ndërsa Leo asgjë me Argjentinën. Edhe vetë mbreti Pele e ka pranuar se Maradona ishte superior. Maradona ka qenë Zoti i futbollit. Nuk besoj se do të lindë më një futbollist i tillë, jam i sigurt që nuk ka për të ndodhur. Sot do të shënonte rreth 400 gola“, përfundon Renica.