A ka përçarje në dhomat e zhveshjes së Realit? Camavinga sqaron gjithçka
Në një moment të ndjeshëm për Real Madridin, ku Xabi Alonso ndodhet nën presion të madh, Eduardo Camavinga ka hedhur dritë mbi zërat për tensione të brendshme. Pas fitores dramatike 4-3 ndaj Olympiacos-it në ndeshjen e pestë të fazës së grupeve në Champions League, sukses vendimtar për renditjen dhe të ardhmen e trajnerit, mesfushori francez ka theksuar se brenda ekipit mbizotëron qetësia dhe uniteti.
“Mediet flasin, por ne jemi më të bashkuar se kurrë. Qëllimi ynë është të ndihmojmë trajnerin, dhe mënyra e parë për ta bërë këtë është fitorja,” u shpreh Camavinga, duke mbyllur çdo hapësirë për spekulime.
Ai pranoi vështirësitë në fazën mbrojtëse gjatë ndeshjes, por theksoi se shpirtit të skuadrës mbetet “pozitiv”. Një vlerësim të veçantë ia rezervoi Kylian Mbappé-së, autor i katër golave që vulosën triumfin: “Kylian shënon gjithmonë. Tre ndeshjet pa gol do të harrohen shpejt. Ai ka një ndikim të jashtëzakonshëm në momentet vendimtare.”
Me këto deklarata, talenti i ri francez përpiqet të shuajë çdo zë për krisje të brendshme te madrilenët. Sipas tij, grupi është plotësisht pas Alonsos dhe i vendosur të ndryshojë kursin, si në kampionat ashtu edhe në arenën evropiane. Rezultatet e fundit të paqëndrueshme duhet të mbeten pas: energjitë tashmë janë të fokusuara te rikthimi i forcës së vërtetë të Real Madridit.
KOHA JONË SONDAZH

