Abrashi “shigjeta” Zvicrës: E duam në grup, janë Shqipëria “2”!
Mesfushori i Fraiburgut, Amir Abrashi rrëfen edhe njëherë pse zgjodhi Shqipërinë: “Si fillim më kanë treguar për planin që kishte FSHF-ja dhe trajneri De Biazi me ekipin tonë përfaqësues. Unë e kam besuar që në fillim atë, së bashku edhe me zv. trajnerin”. Pas kualifikimit në Francë 2016, ai thotë se do të donte në grup Zvicrën, për faktin se me të luajnë disa lojtarë shqiptarë dhe me emrat e tyre ngjan sikur edhe ky ekip është Shqipëria:
Amir, çfarë ndjesie të krijon fakti që Shqipëria tashmë do të luajë në Europian?
Është fantastike! Nuk mundesh ta përshkruash me fjalë, por di të them se ende nuk jemi duke e besuar.
Sa u “goditët” psikologjikisht pas humbjes me Serbinë?
Normale që nuk e pritëm mirë atë disfatë. Dëshira jonë ishte ta fitonim atë takim, duke ditur edhe rëndësinë që kishte për shqiptarët. Por para se të niseshim për në Armeni, kemi folur me njëri-tjetrin, duke qenë të bindur se kishim edhe një tjetër shans për të shkuar në Europian. Ishim të vendosur për të marrë tri pikët në takimin e fundit të këtyre Eliminatoreve. Kemi arritur qëllimin kryesor për të qenë në Francë dhe ndeshja me Serbinë nuk ka më rëndësi.
A u shtua presioni pas dy disfatave në shtëpi?
Po sigurisht që po. Kishim disa shanse radhazi për ta mbyllur çështjen e kualifikimit, që nga ndeshja me Portugalinë. Por e dinim se mundësinë e fundit, atë në Armeni nuk do ta lëshonim. Kjo, pavarësisht se të gjithë ishim të vetëdijshëm se nuk do të ishte aspak e lehtë të fitonim në Jerevan, për më tepër që u arrit me rezultatin 3-0. Por, grupi ku ishim ne, kishte ekipe të forta. Ndaj edhe Portugalia, e cila doli e para në grup hasi vështirësi.
E vështirë ndaj Armenisë mund të konsiderohet edhe për faktin se nuk kishte asnjë lloj presioni, ndryshe nga Serbia që kërkonte një revansh ndaj Shqipërisë…
Po sigurisht që po. Për Serbinë ishte e rëndësishme që të fitonte ndaj nesh dhe sidomos në fushën tonë. Por, gjithsesi i përmbahem edhe një herë faktit se, pavarësisht mërzitjes që e humbëm atë takim ndaj tyre, jemi të kënaqur që do të luajmë në Europian, ndërsa serbët do ta ndjekin nga televizioni atë kompeticion.
Shkodran Mustafi ka pranuar disa ditë më parë se e ka refuzuar Shqipërinë, pavarësisht se De Biazi i kishte deklaruar se do të tentonin dhe të arrinin në Europian. Ty çfarë të ka thënë trajneri?
Si fillim më kanë treguar për planin që kishte FSHF-ja dhe trajneri De Biazi me ekipin tonë përfaqësues. Unë e kam besuar që në fillim atë, së bashku edhe me zv.trajnerin Paolo Tramexanin. Por zgjodha Shqipërinë, për faktin se doja të luaja për ngjyrat e ekipit tim kombëtar.
Ke pasur kontakte edhe me Otmar Hizfelt, në atë kohë trajneri i Zvicrës, apo jo?
Po, po sigurisht që më bindi më shumë De Biazi dhe Tramexani.
Mos ndoshta edhe për faktin se te Zvicra kishte më shumë konkurrencë?
Gjithkund ka konkurrencë. Te Shqipëria ka shumë konkurrencë! Në çdo ekip ekziston ajo. Unë doja të arrija diçka me Shqipërinë dhe tifozët e kombit tim, ndaj preferova të përfaqësoja ngjyrat kuqezi.
Si e imagjinoni mbështetjen e tifozëve shqiptarë në Europianin që do të luhet në Francë?
-Madhështore! Madje edhe jashtë stadiumit do të ketë shumë tifozë shqiptarë.
Cilën skuadër preferon në grupet e “Euro 2016”?
Zvicrën.
Pse Zvicrën, apo mos ndoshta preferoni që të cilësohet si një ndeshje midis Shqipërisë 1 dhe Shqipërisë 2?
Ne jemi 1-shi, ata 2-shi (qesh).
Pas kualifikimit të Shqipërisë në Europan, në Zvicër pranuan se kishin edhe ata merita për këtë arritje, duke i mëshuar fakti se kombëtarja jonë ka lojtarë që janë rritur në atë shtet…Qëndron si argument?
Normale që ashtu flasin, sepse nuk kanë çfarë të thonë më tepër duke parë se shumë shqiptarë po zgjedhin Shqipërinë dhe jo Zvicrën.
Mendon se edhe lojtarët e tjerë që luajnë në Zvicër, ndoshta edhe ata që luajnë me ekipin Shpresa të këtij shteti të zgjedhin Shqipërinë?
Mendoj se po. Tashmë që jemi kualifikuar, edhe ata ja ndjejnë lezetin kësaj arritjeje dhe nuk do të mendohen dy herë.
Mund të quhet kjo arritje, si reklama më e madhe e futbollit shqiptar?
Pa diskutim që po.
Një premtim për tifozët?
Në Francë shkojmë me synimin për të bërë diçka të madhe.
Pse mendon kështu?
Sepse shkojmë pa presion të madh, ndryshe nga skuadrat pretendente. Por kësaj i shtohet edhe fakti që ekipin e kemi mjaft të mirë.
KOHA JONË SONDAZH

